Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 Tetorit, raporton Llapi.info.

Këto zgjedhjeve, sipas KQZ-së, i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje me 26.15%, e pasuar nga LDK-ja me 24,458 %, PDK me 21,163 %, AAK-PSD me 11, 477 % dhe Nisma – 42 mijë e 72 vota apo 4,984 %, parti kjo e fundit që ka mbetur jashtë Kuvendit.

Deri më tani, katër kandidatë nga tri parti të ndryshme në Podujevë kanë siguruar ulësen në Kuvend. Bëhet fjalë për Saranda Bogujevci (VV), Shpejtim Bulliqi (VV), Ekrem Hyseni (LDK) dhe Floretë Zejnullahu (PDK).

Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi tepër ngushtë në Komunën e Podujevës me 15.089 mijë vota apo 37,950%, kurse VV e dyta me vetëm 1174 më pak se LDK-ja, gjegjësisht 13.915 vota apo 34,997%. PDK-ja mori 18,657%, AAK-ja 4,693% e NISMA 1,917%.

Por, nga sa vota morën në vendlindjen e tyre kandidatët llapjanë?

Nga LDK-ja: Ekrem Hyseni 8 mijë e 286 vota, Visar Hoti 5 mijë e 114, Fidan Rekaliu 5 mijë e 102, Nexhmi Rudari 3 885, Hamdi Jaha me 3 422 dhe Florije Besholli me 2 mijë e 618 vota.

Edhe pse doli e dyta në këtë Komunë, VV në Podujevë deri më tani i ka siguruar dy ulëse në Kuvend.

Saranda Bogujevci 6 mijë e 382 vota, Fitim Haziri 5 mijë e 349, Shpejtim Bulliqi 4 mijë 798, Ajet Potera 3885, Sabri Kiçmari 2249, Fatmir Humolli 1978, Gazmend Islami 1629.

Në anën tjetër, nga PDK-ja dështuan komandantët, teksa të rinjtë i mposhtën.

Floretë Zejnullahu mblodhi 4231 vota, Fahri Osmani 3754, Rrustem Mustafa 3131, Naim Fetahu 2419, Shqiptar Demaçi me 897 vota dhe Nexhmi Muçiqi me vetëm 391.

Keq me vota kanë dalë kandidatët e partive tjera. Besnik Tahiri ka marrë 878 vota dhe Mrika Thaqi 524 vota nga AAK-ja.

Nga NISMA, Xhemajl Hasani ka kapur 260 sosh, e Xhevdet Maloku i Partisë Fjala 77 vota./Llapi.info