Të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra tjerë po konsiderohen të zhdukur nga ekipet e shpëtimit, që janë duke bërë të pamundurën që të ndihmojnë qytetarët gjermanë që janë goditur nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet që kanë goditur pjesën perëndimore të këtij vendi – përkatësisht Rhineland-Palatinate, shkruan The Guardian.

Në Rhineland-Palatinate, ka pasur rrëshqitje dheu, ku në këtë rajon po konsiderohen 70 persona të zhdukur si pasojë e shembjes së gjashtë shtëpive. Gjithashtu në këtë zonë janë konfirmuar tetë të vdekur, transmeton Telegrafi.

“Ka të vdekur, të zhdukur dhe shumë tjerë që janë në rrezik të madh”, ka thënë zyrtari i Rhineland-Palatinate, Malu Dreyer.

“Kurrë nuk kemi parë një katastrofë të tillë. Është diçka shkatërruese”, ka shtuar politikani socialdemokrat.

E zëdhënësi i policisë në Koblenz, ka thënë për Reuters se ende është i paqartë numri i saktë i personave që duhet shpëtuar, dhe që po qëndrojnë nëpër kulmet e shtëpisë.

Pamjet e publikuara në rrjete sociale shfaqin pamje “apokaliptike”, ku ujërat rrëmbenin gjithçka që u dilte përpara – madje veturat “lundronin” sikur të ishin varka