Në margjina të Samitit WB6 në Vjenë u takuan kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi Dritan Abazoviq. Ky ishte takimi i parë i dy liderëve pas ndryshimeve që janë bërë në dy shtetet e Ballkanit.

Dy palët janë dakorduar që të zhvillojnë politikë të mirëfilltë rajonale dhe si një hap i mirë informuan se do të eliminohet taksa për sigurimin e automjeteve për hyrjen në të dy shtetet përkatëse.

Marrëveshja do të nënshkruhet më 23.06, të enjten, në hotel “Hilton” në Podgoricë ndërmjet përfaqësuesve kosovarë dhe malazezë, në nivel të drejtorëve të agjencive për sigurim.

Ky është edhe një hap më shumë për lehtësimin e procedurave për të gjithë pushuesit kosovarë që duan të kalojnë pushimet në bregdetin e Malit të Zi.
Më tej në takim u diskutua për të ardhmen e dy vendeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh.

Në Vjenë Abazoviqi zhvilloj edhe takim bilateral me nënkryetarin e Qeverisë së Kosovës Besnik Bislimin, ku biseduan për vizitat zyrtare në Prishtinë dhe Podgoricë. /plavaeguciasot