Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, së bashku me kryetarin e Komunës së Velbertit të Gjermanisë, Dirk Lukrafka, sot kanë nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit në mes të dy qyteteve, raporton Llapi.info

Me këtë rast, i pari i Podujevës, Agim Veliu, duke u shprehur i lumtur për këtë bashkëpunim, ka thënë se kjo marrëveshje përfshinë të gjitha fushat për të dyja qytetet.

“Ka vite që bashkëpunojmë me qytetin e Velbertit që nga paslufta, fal njerëzve tanë dhe angazhimit që ata e kanë bërë. Më në fund, sot arritëm që këtë bashkëpunim tonin ta kurorëzojmë me nënshkrimin e certifikatës së partneritetit, do të thotë prej sodit ne jemi të miqësuar dhe partner me qytetin e Velbertit. Kryesisht lidhjet tona me këtë dokument do të jenë në kulturë, arsim, sport dhe fusha tjera. Do përqendrohemi edhe në çështje të zhvillimit ekonomik të përbashkët. Prioritet do të jetë edhe këmbimi i të rinjve të Podujevës dhe të Velbertit që të shkëmbejnë përvoja të ndryshme, në interes të zhvillimit të qyteteve”, ka thënë Veliu.

Sipas tij, kjo marrëveshje po ndodh pak ditë pasi që Këshilli i Kuvendit të Velbertit votoi me shumicë votash për binjakëzimin me Komunën e Podujevës.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Velbertit, Dirk Lukrafka, është shprehur i bindur se në të ardhmen do të punohet në zhvillimin e dy Komunave.

“Është kënaqësi që sot ta bëjmë binjakëzimin të dy qyteteve. Marrëveshje kjo e cila përfshinë aktivitete të shumta. Podujeva me Velbertin kanë qenë shumë të afruara kohët e fundit. Jam shumë i lumtur që Velberti i Gjermanisë në emër të Kuvendit për këtë akt që e morëm sot. Jemi të sigurt që në të ardhmen së bashku do të punojmë, dhe njerëzit e Podujevës dhe të Velbertit t’i bashkojmë në aktivitete të ndryshme”, ka thënë ai.

Krejt në fund të kësaj ceremonie, Kryetari i Podujevës, Agim Veliu dhe ai i Velbertit, Dirk Lukrafka, shkëmbyen dhurata simbolike./Llapi.info