Nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu, ka marrë pjesë në takimin online të kryetarëve të komunave me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, lidhur me gjendjen me pandeminë dhe masat e fundit të Qeverisë së Kosovës kundër Covid-19, raporton Llapi.info.

Në takimin e organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, nënkryetarja Lahu raportoi për gjendjen me pandeminë COVID-19 dhe zbatimin e masave mbrojtëse në Komunën e Podujevës, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, të 5 prillit të këtij viti.

“Përkundër faktit që masat e fundit anti-COVID kanë dëmtuar sektorë të ndryshëm të ekonomisë, në këtë rast më shumë janë të prekura bizneset e hotelerisë dhe gastronomisë, ne do të respektojmë masat sipas rekomandimeve të IKSHPK, sepse mbrojtja e shëndetit të qytetarëve duhet të jetë prioritet i të gjithëve”, tha nënkryetarja Lahu.

Më tej nënkryetarja Lahu tha se “ne si Komunë shprehim gatishmërinë e plotë për bashkëpunim dhe koordinim të plotë të aktiviteteve me institucionet qendrore në zbatimin e masave kundër pandemisë”.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka njoftuar se të hënën do të hapen lokalet e gastronomisë dhe qendrat tregtare, duke respektuar masat strikte shëndetësore.

Kjo është bërë e ditur pas takimit të ministrit të MAPL’së, Elbert Krasniqi, dhe atij të Shëndetësisë, Arben Vitia me kryetarët e komunave dhe Adociacionin e Komunave të Kosovës.

Aty është bërë e ditur se do të vendosen edhe masa të reja për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.

“Duhet ta kemi të qartë se situata në institucionet shëndetësore është mjaft alarmante sepse këto institucione janë të stërngarkuara më pacientë të infektuar më COVID 19 dhe hapësira e këtyre institucioneve afër limiteve. Masat e ndërmarra përfundojnë me 18 prill 2021 dhe me 19 prill duhen masa të reja për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID 19. Është shumë e rëndësishme që sot të diskutojmë bashkërisht që masat që do të hyjnë në fuqi të koordinohen së bashku me nivelin lokal dhe propozimet e juaja si kryetarë dhe përfaqësues të komunave janë shumë të rëndësishme”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se janë bërë grupe punuese me përfaqësuesit e gastronomëve për të punuar rreth qasjes dhe punës së këtij sektori në të ardhmen.

“Në anën tjetër kemi bërë grupe punuese me përfaqësuesit e gastronomeve për të punuar rreth qasjes dhe punës së sektorit të gastronomisë në të ardhmen dhe aktiviteti i tyre do të rifillojë nga data 19 prill 2021 duke respektuar në përpikëri masat për mbrojtjen e shëndetit publik. Si përfundim duhet theksohet se Republika e Kosovës i ka masat më liberale duke i krahasuar ato me masat e vendeve të rajonit dhe Evropës”, bëhet e ditur në njoftim./Llapi.info