Institucionet shëndetësore në Komunën e Podujevës kanë bërë të gjitha përgatitjet për nisjen e vaksinimit masiv kundër COVID-19, raporton Llapi.info.

Kështu ka thënë për Llapi.info koordinatorja e Shtabit Emergjent Komunal dhe epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama.

“Më 15 qershor do të nis vaksinimi masiv kundër virusit korona në Podujevë, të gjitha përgatitjet janë bërë”, është shprehur Rama.

Më tej, Rama ka shtuar se aktualisht është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër virusit korona në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, derisa ka deklaruar se janë vaksinuar rreth 2 mijë e 500 qytetarë.

“Deri më sot janë vaksinuar rreth 2500 persona me vaksina anti-covid, të gjithë të vaksinuarit kanë kaluar mirë”, është shprehur Rama.

Në anën tjetër, ditë më parë, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se qendër për vaksinim masiv do të jetë një pjesë e shkollës fillore “Xheladin Rekaliu”.

 “Pas sigurimit të dozave të reja të vaksinave nga Ministria e Shëndetësisë, bashkë me drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu dhe stafin menaxherial të QKMF, vizituam vendin ku nga java e ardhshme pritet të fillojë vaksinimi masiv për qytetarët tanë”, ka njoftuar Bulliqi në Facebook.

“Ne pamë nga afër përgatitjet që janë bërë në sallën sportive të ShFMU “Xheladin Rekaliu” dhe nga aty pashë që është gjithçka gati për të filluar me vaksinim masiv të qytetarëve. Në këtë Qendër te Vaksinimit do të ketë 4 ekipe me dy ndërrime, gjithsej 8 ekipe, një ekip mesatarisht pritet të vaksinojë rreth 80 qytetarë. Brenda ditës pritet të vaksinohen rreth 700 qytetarë”, ka njoftuar kreu i Podujevës.

Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 5 mijë. Deri tash janë raportuar 61 viktima, kurse rreth 4.448 pacientë janë shpallur të shëruar. Aktivë me koronavirus janë edhe nëntë llapjanë./Llapi.info