Ministria e Punëve të Brendshme mbajti sot takimin e pestë për udhërrëfyesin rreth armëve të vogla dhe të lehta, ndërsa gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2020 janë sekuestruar 649 armë dhe 27030 copë municione.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla theksoi angazhimin dhe mbështetjen e akterëve lokal dhe rajonal të përfshirë në këtë proces, si dhe kontributin e tyre për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, rajonit dhe më gjerë.

Sveçla theksoi se Kosova, sikurse edhe vendet tjera të rajonit vazhdon të përballet me problematikën që sjellin përdorimi i paligjshëm i armëve dhe trafikimi i tyre, duke veçuar se vetëm për periudhën e raportimit, që përfshinë gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020, janë sekuestruar 649 armë dhe 27030 copë municione.

“Lufta kundër trafikimit të armëve të paligjshme dhe bashkëpunimi dhe koordinimi i gjithë akterëve në këtë fushë, është parakusht për të arritur deri tek objektivi ynë i përbashkët, e që është siguria për të gjithë qytetarët tanë. Një Kosovë e sigurt, nënkupton një Evropë më e sigurt, prandaj rruga dhe angazhimi i jonë është dhe duhet të jetë i përbashkët”, tha Sveçla.

“Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që të rishikohet progresi i zbatimit të Udhërrëfyesit për një zgjidhje të qëndrueshme të armëmbajtjes pa leje si dhe trafikimi i armëve të vogla dhe të lehta dhe municioneve të tyre në nivel lokal.

Udhërrëfyesi u miratua gjatë Takimit të Ministrave të Brendshëm dhe të Sigurisë së Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar në Londër, më 10 korrik 2018, si angazhimi më i madhi i kontrollit të armëve në rajon, duke mbuluar të gjitha aspektet kryesore nga sigurimi i rezervave të armëve të zjarrit dhe municioneve deri te integrimi perspektivës gjinisë në kontrollin e AVL-ve”.