Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga radhët e VV-së, Shpejtim Bulliqi, i shoqëruar nga kryetari i kësaj partie me deputetë kanë ‘zbarkuar” këtë të shtunë në këtë komunë, shkruan Llapi.info.

Bulliqi dhe Kurti, me këtë rast, kanë vizituar fermerë, kufij, tregje dhe fabrika në qytetin e Podujevës.

Kështu ka bërë të ditur vetë Bulliqi nëpërmjet postimeve të tij në Facebook.

“Në mengjesin e ditës së sotme, bashkë me Kryetarin Albin Kurti në brezin kufitar në Shamallukë, me Podujevën e shtrirë poshtë nesh, vizituam punimet për fshatin turistik Iliria dhe në Herticë shoqatën e bletarëve. Faton Maqani i ka nisur punimet tash 2 muaj me një investim që mbulon 7 hektarë dhe që pritet të punësojë mbi 70 punëtorë. Investimet private kanë nevojë për një komunë e cila nuk i lë vetëm dhe u bëhet krah me investime në infrastrukturë publike”, ka shkruar ai.

“Ndërsa kryetari i shoqatës së bletarëve, Raif Muqolli, tregoi se mbi 400 llapjanë merren me bletari. Me mbi 12 mijë zgjoje, bletarët më së shumti kanë nevojë për një vendtakim për t’u mbledhur mes tyre dhe për komunën që t’i mbështesë me rritjen e subvencionimeve. Ndërsa bletarët dhe bletët na mësojnë se për çfarë ka nevojë toka me lule dhe sesi të punojmë me njëri tjetrin. Tashmë jemi bërë shumë dhe në Komunë do të jemi punëtorë si bletët. Vullneti, dija dhe përkushtimi nuk na mungojnë dhe i kemi për t’i ndarë me njëri-tjetrin. Podujeva ka nevojë jo vetëm për ta ruajtur brezin kufitar, por edhe për të banuar, vizituar e investuar në të. Sytë i kemi edhe ne nga brezi e jo vetëm brezi përmbi ne”, thotë ai.

“Bashkë me kryetarin e Lëvizjes Albin Kurti vizituam në fshatin Balloc fermerin Ibrahim Salihu me familjarët dhe bashkëfshatarët e tij. Ibrahimi ka 6 hektarë tokë të mbjella me 6.000 trupa, me kumbulla dhe mjedra mes të tjerash”, ka shkruar Bulliqi.

Ndryshe, zgjedhjet për të parin e Podujevës do të mbahen të dielën e ardhshme. Në garë për kryetar të kësaj komune janë tre kandidatë./Llapi.info

https://www.facebook.com/shpejtim.bulliqi/posts/5223442954394123