Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja ka deklaruar se një ari tokë në Mirushë të Malishevës nga AKP-ja është shitur për 11 euro, e pastaj e njëjta tokë është shitur për 1,000 euro.

Tutje, ai shtoi se 25 mijë hektarë tokë janë shitur me çmim mesatar prej 20 euro për hektarë.

“Në kuadër të raportit kemi gjetur disa fakte të tmerrshme që kërkojnë reagim emergjent. Prej 500 ndërmarrjeve që janë shitur janë grumbulluar 600 milionë euro, kurse në vendet e rajonit për një ndërmarrje të vetme janë gjeneruar 600 milionë euro. Janë humbur 40 mijë vende të punës. Në kuadër të këtij privatizimi janë likuiduar 111 ndërmarrje bujqësore, 25 mijë hektarë tokë janë shitur me çmim mesatar prej 20 euro për hektarë. Është shitur toka në Mirushë për 11 euro ari, e njëjta tokë pastaj është shitur 1,000 euro ari”, tha Muja në Seancën që po mbahet në Kuvendin e Kosovës.

Ndryshe, me 63 vota për, asnjë kundër dhe abstenim, kuvendarët kanë votuar për shkarkimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.