Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë detaje për vdekjen e pesë pacientëve në Klinikën Infektive në orët e para të së dielës. Përmes një reagimi për media, MSH-ja ka bërë thirrje të priten rezultatet e hetimeve nga institucionet përgjegjëse.

Në mëngjesin e së dielës, Klinika Infektive u rrethua me policë si pasojë e dyshimeve për vdekjen e pesë pacientëve. MSH-ja ka thënë se dyshimet janë ngritur për shkak se vdekjet ndodhën brenda një afati të shkurtër kohor.

“Për shkak të shtimit të numrit të vdekjeve brenda një afati të shkurtër kohor, janë ngritur dyshime lidhur me natyrën e vdekjes së këtyre pacientëve. Ajo çka SHSKUK mund të konfirmojë deri në këto momente është se të gjithë ketë pacientë kanë qenë të konfirmuar përmes metodës standarde të aplikushme të daignostikimit me Covid-19 dhe kanë qenë në gjendje kritike duke u trajtuar në Klinikën Infektive-QKUK”, thuhet në reagim të MSH-së. “Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, MSh dhe SHSKUK u bëjnë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve dhe të nxjerrin përfundimet meritore”.

Tutje në reagim theksohet se fluksi i pacientëve me pasqyrë të rëndë klinike nga koronavirusi është rritur ndjeshëm javët e fundit. Sipas MSH-së, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka rritur kapacitete e saja të Mjekimit Intensiv.