Metal. Gomë. Lëkurë. Kur bëhet fjalë për motoçikleta, materialet që përdoren për t’i prodhuar ato janë po aq të rëndësishme sa vetë përvoja për ngasjen e tyre.

Ananasi, farat e lirit dhe algat? Më shumë tingëllojnë si përbërës për ndonjë sallatë sesa për një dyrrotësh. Megjithatë një kompani amerikane po shpreson ta ndryshojë këtë.

Quhet “Tarform”. Atë që “Tesla” e ka bërë për ta kthyer në drejtimin kryesor ngasjen me zero emetime, “Tarform” shpreson ta bëjë për zero mbetje. Këtë duke ndërtuar motoçikleta elektrike që janë të riciklueshme dhe të përbëra nga materialet natyrale që mund të biodegradojnë.

“Ideja ka qenë që të krijojmë motoçikleta të së nesërmes”, ka thënë Taras Kravtchouk, themelues i “Tarformit”. Nëse dëshironi të krijoni një motoçikletë me qëndrueshmërinë në fokus, shpjegon ai, “çfarë parimi duhet të ketë? Elektrike, por edhe me sa më pak dëme që mund t’i bëhen ambientit tonë”.

Motoçikleta “bio”

Në vend të përdorimit të klorid polyvinyl, “Tarform” po i krijon ulëset e veta nga ananasi, mango, misri apo fibra të tjera natyrale. Farat e lirit zëvendësojnë plastikën në panelet anësore. Dhe pigmentet që ngjyrosin strukturën e trupit janë nga algat natyrale e jo nga ngjyrat toksike. Mbulesa e aluminit, po ashtu, është e riciklueshme. Pakoja e baterisë është lehtësisht e lëvizshme për t’u lënë hapësirë përditësimeve teknologjike.

Në dispozicion më vonë gjatë 2020-s, një model i rregulluar si modeli bazë “Founder Edition” do të kushtojë rreth 42 mijë dollarë. “Tarform Luna” do të hyjë në prodhim vitin e ardhshëm me një version 24 mijë dollarësh. Kompania tashmë ka 1.500 porosi, 54 prej të cilave janë për modelin “Founder” që do të prodhohet në Brooklyn… (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)