Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka komentuar opozitarizmin e liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të cilin thotë se PDK-së nuk i duhet një Abdixhik, që e shet demokracinë për një llogari të ngushtë elektorale.

Ai thotë se sulmi nga KQZ-së duhet të jetë aralm për rreziqet që e presin vendin, ndërsa thotë se partia e Abdixhikut nuk i ka dhënë nënshkrimet për ta dërguar në Kushtetuese vendimin e Presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetarit të KQZ-së.

“Shikojeni Lumirin, ai është mësimi!… Zgjedhjet në PDK nuk janë punë e imja, prandaj nuk dua të flas për emra. Çfarë më intereson është e ardhmja e opozitës në Kosovë. Për bindjen time, lakimi i emrave pa pyetjen mbi rrugën që do të ndiqet s’ka asnjë dobi. Sulmi flagrant ndaj KQZ-së duhet të jetë alarm për rreziqet që e presin vendin. PDK-së nuk i duhet një Lumir që e shet demokracinë për një llogari të ngushtë elektorale.

Shikojeni Lumirin, cili është mësimi?! S’ka nënshkrime për Gjykatën Kushtetuese sepse synojmë votat e humbura nga Presidentja vegël. Rrjedhimisht, vegël e veglës. Secila llogari është e pamatshme përballë ruajtjes së lirive politike e ambientit demokratik në shoqëri dhe institucione”,shkroi Molliqaj në Facebook.

Ai thotë se opozita do të ketë sukses nëse do të arrijë t’i artikulojë e t’iu përgjigjet detyrave të kohës.

“Përpjekja për t’u dëshmuar para propagandës që na vjen si “opinion publik” në formën e kërkesave për ndryshim është pranim i pushtetit si instancë ideologjike. Sa më shumë i nënshtrohemi këtij gjykimi më fajtor do të ndjehemi. Kjo është një dinamikë mizore që fundos e desubjektivizon sepse instanca e gjykimit është jashtë autonomisë tënde.

Opozita do të ketë sukses nëse do të arrijë t’i artikulojë e t’iu përgjigjet detyrave të kohës. Suksesi i UÇK-së është guximi në kohë. Kjo trashëgimi ka lidhje të mirë ekuivalence me kërkesat e sotme. Thirrja universale e saj përshtatet e frymëzon betejën për shoqëri demokratike. Bashkimi rreth këtyre çështjeve duhet të jetë bashkëpunimi i opozitës e bashkimi i njerëzve”.