Jorginho mund ta fitojë Topin e Artë këtë vit, nëse Italia triumfon në Kampionatin Evropian 2020, sipas mediave italiane.

Mesfushori Jorginho e pati një sezon të shkëlqyer 2020/21, pasi i ndihmoi Chelseat ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe tashmë ka arritur në gjysmëfinale të Euro 2020 me Italinë, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:
Kërkon falje motra e portierit të Belgjikës, pasi e akuzoi Spinazzolan për simulim
Gazeta e madhe italiane, La Gazzetta dello Sport, i ka analizuar paraqitjet e ish-mesfushorit të Napolit dhe ka thënë se ai do ta meritonte Topin e Artë, nëse Italia ia del ta fitojë Kampionatin Evropian.

Në një sezon kur Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo dështuan të arrinin rezultate të mira në Ligën e Kampionëve, mund të ketë hapësirë për një fitues tjetër të Topit të Artë.

E përditshmja italiane nënvizon se ish-mbrojtësi i Gjermanisë, Matthias Sammer, ishte lojtari i fundit që u shpërblye me çmimin Lojtari më i Mirë i Vitit pasi e fitoi Euro 1996.

Fabio Cannavaro është lojtari i fundit italian që e ka fituar Topin e Artë, pasi e arriti këtë falë triumfit të Italisë në Kupën e Botës më 2006.

Thuhet se Raheem Sterling dhe Harry Kane janë pretendentë kredibilë për Topin e Artë dhe Lojtarin më të Mirë të Vitit të zgjedhur nga FIFA, por Jorginho do të ketë përparësi nëse Italia e fiton Euro 2020.