“Betohem që unë nuk e kam ditur”, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Koka, kur është pyetur nga Albanian Post për ngritjen në pozitë të mbesës së tij brenda Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Inovacionit dhe Teknologjisë në Kosovë.

Bëhet fjalë për Fadile Dylën, vajzën e vëllait të deputetit Koka, e cila është emëruar Ushtruese e Detyrës së Sekretares së Përgjithshme, në MASHT. Dyla, që me profesion është arkitekte, më herët ka punuar po në këtë ministri në një tjetër funksion.

Koka, kur u telefonua për t’u pyetur rreth ri-pozicionimit të mbesës brenda ministrisë, tha se “nuk e kam ditur. Tani po më tregoni. Tani po dëgjoj”.

Por, më pas ka vazhduar duke thurur lëvdata për vajzën e vëllait.

“Ajo është talente e madhe, arkitekte që nuk ekziston kund”, pohoi Koka, duke vazhduar të shpreh mosbesimin e tij se ajo ka ndryshuar pozitë.

“Nuk ma merr mendja që ndërron vendin e punës”.

Meqë as nuk e ka ditur, Koka refuzon kategorikisht se ka ndikuar te bashkëpartiakja e tij, ministrja Arbërie Nagavci, ta emërojë Dylën në këtë detyrë.

Akuzat për ndikim “janë pallavra politike”, ka deklaruar Koka dhe më pas është lëshuar në historikun e familjes.

“Dëgjo mirë. Ne jemi atdhetarë dhe kemi kontribuar në lufta. Unë kam qenë luftëtar dhe kanë qenë edhe djemtë e vëllait. Ne kontribuojmë, unë jam kyçur në politikë për të kontribuuar. Unë jam kyçur vjet në VV dhe kur je profesor Emeritur ke të drejtë të punosh gjithë jetën”.

Pas mohimit për ndikim politik dhe çfarëdo lidhje tjetër me emërimin e mbesës, Koka iu rikthye lëvdatave për të.

“Ajo është vajza e vëllait tim, arkitekte e famshme dhe me eksperiencë, ka biznese. Betohem që nuk e kam ditur. Vëllain nuk e kam parë që sa kohë për shkak të COVID-it”.

Madje Koka, përkundër se i është thënë disa herë se emërimi ka ndodhur, ka refuzuar të besojë. Koka pohoi se nuk ia “merr mendja”.

“S’ka të bëjë me mua fare, sepse unë s’jam fut për familjarizëm, unë e urrej korrupsionin”.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e emëroi Ushtrues Detyre të Sekretarit të Ministrisë, Fadile Dylën me 25 maj (ose të paktën në këtë datë është bërë e ditur për media).

Emërimi i Dylës në këtë pozitë vjen pasi, ish-U.D. Sekretarit, Agim Bërdyna, i kishte kaluar mandati si ushtrues detyre.

Albanian Post ka provuar të flas me zonjën Dyla. E ka kontaktuar në numrin e telefonit që i figuron në një databazë brenda ministrisë. Por, zonja që është përgjigjur në telefon, ka mohuar të jetë Fadilja.

“Numri nuk është i Fadiles”, tha zëri që refuzoi të prezantohet.

Fadile Dyla punon prej vjetësh në MASHT. Pozita e saj e mëhershme ishte Drejtore e Departamentit për Shërbime Teknike.