Kandidati për Kryetar të Podujevës nga partia Fjala, Xhevdet Maloku, ka thënë se kjo parti do të shkojë në balotazh në zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Podujevë, njofton Klan Kosova.

“Ka pasur shumë Fake News”, tha Maloku në Magazinën Lokale të Klan Kosovës, duke iu referuar rrjedhës së fushatës për zgjedhjet lokale.

Ai nuk mendon që një kandidat që është serioz duhet t’i përdorë këto mënyra, ndonëse refuzoi ta përmendë emrin e kandidatit të cilit i referohej.

“Mund t’i shikoni portalet se në drejtim të kujt kanë shkuar”.

Maloku tha se partia Fjala do të jetë befasi siç ka qenë deri tash, dhe se kjo parti ka fituar simpati në Podujevë.

“Ne e dimë se do të shkojmë në balotazh, kjo është e sigurt”, tha Maloku në Magazinën Lokale të Klan Kosovës.

Ndërsa për programin e tyre, ai tha se është i shtrirë në të gjitha fushat në të cilat Podujeva ka probleme.

“Vëmendje u kemi dhënë tre fushave kryesore, arsimi, ekonomia përkatësisht bujqësia, dhe shëndetësia”.

Ai tha se këto fusha do të rimëkëmben por për këtë duhet depolitizimi i skajshëm i tyre.

Maloku vazhdoi duke thënë se në arsim duhet punësuar kuadro profesionale, ndërsa në bujqësi tha se nuk do të japin subvencione në mënyrë partiake apo familjare.

“Do t’u japim subvencione bujqve aktivë, dhe jo qytetarëve që nuk merren fare me bujqësi”.

Ndërsa për shëndetësinë, tha se do ta mbajnë larg nga politika.

“Të gjithë qytetarët do të trajtohen në mënyrë të barabartë”.