Llapi dhe Gjilani kanë barazuar 2-2 në kuadër të xhiros së 27-të Superligës së Kosovës në futboll, raporton Llapi.info.
Mysafirët nga Podujeva e nisën mjaft mirë ndeshjen duke rrezikuar disa herë portën kundërshtare në minutat e parë. Fillimisht provoi Valmir Veliu, e më pastaj edhe Mentor Zhdrella.
Rezultati në “Agim Ramadani” u zhbllokua në minutën e 16’, kur i disponuari për lojë, Valmir Veliu realizoi për 0-1 për Llapin.
Nikoqirët u kundërpërgjigjen menjëherë duke barazuar rezultatin 1-1 në minutën e 22’, nëpërmjet Keita Razak.
Pas këtyre golave, të dyja skuadrat u hodhën në sulm. Krejt në fund të pjesës së parë, Llapi e riktheu epërsinë në 1-2. Ishte përsëri Valmir Veliu që realizoi golin e dytë personal në këtë ndeshje, pas një solo-aksioni.
Përkundër pjesës së parë që solli raste të shumta, pjesa e dytë ishte më e qetë. Në minutën e 58’ Valmir Veliu me një tjetër gjuajtje rrezikoi gjilanasit, por pa sukses.
Krejt në minutat e fundit të ndeshjes, Gjilani barazoi rezultatin 2-2 me anë Gerhard Progni, rezultat me të cilin dhe u mbyll kjo ndeshje.
Pas këtij barazimi, Llapi vazhdon të jetë në pozitën e gjashtë me 39 pikë, kurse Gjilani renditet në vendin e tretë me 52 pikë të tubuara.
Edhe xhiroja e radhës do të jetë e vështirë për Llapin, pasi do ta presë në “Zahir Pajaziti” Dritën, kurse Gjilani udhëton në Drenas për t’u përballur me Feronikelin./Llapi.info