Lokale - eSIMy

Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet një njoftimi për medie, ka bërë të ditur se ka licencuar edhe dhjetë laboratorë privatë për kryerjen e testeve serologjike për COVID-19, raporton Llapi.info.

Përkundër herës së parë, kësaj radhe MSH-ja ka licencuar një laborator në Komunën e Podujevës. Ashtu edhe siç pritej, licencën për kryerjen e testeve serologjike e ka marrë laboratori mjekësor biokimik  “Bio Hem”. Ky laborator gjendet në rrugën “Fahri Fazliu” dhe i njëjti është në pronësi të Fahri Llugaliut.

Përmes këtyre testeve, kuptohet nëse një person ka tejkaluar këtë virus si dhe nëse trupi ka krijuar antitrupa kundër tij.

“Bordi për Licencim të Institucioneve Shëndetësore private në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë ka vazhduar me trajtimin e kërkesave për licencimin e shërbimit të testimeve për SARS Cov-2. Nga aplikacionet e shqyrtuara në vijim, janë licencuar edhe 10 ISHP për kryerjen e testimeve serologjike për SARS Cov-2”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Me këtë, numri i institucioneve shëndetësore private që kryejnë teste të COVID-19 është rritur në 39, pasi tashmë 29 prej tyre kanë nisur punën.

Dhjetë laboratorët e rinj do të kryejnë teste serologjike, sikur edhe 27 të tjerët nga faza e parë e licencimit.

Vetëm dy laboratorë privatë janë licencuar për teste PCR, që janë edhe më të saktat dhe kryhen edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Dje në konferencë për media, Minsitri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës do të monitorojnë të gjithë laboratorët privatë që do t’i nisin testimet për virusin korona./Llapi.info

Image