Vjosa Osmani që në zgjedhjet e gjashtë tetorit kandidoi për kryeministre të vendit, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kishte deklaruar se nuk do të ketë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, pa të.

Mirëpo në bisedimet që po zhvillohen në mes LDK-së dhe VV-së, Osmani është ‘, ‘zhdukur’, shkruan Gazeta Insajderi.

Osmani nuk është duke u parë as nën hijen e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, ndonëse ajo kishte thënë se “le ta provojnë që të bëjnë marrëveshje pa Vjosën”.

‘’Nëse Vjosa nuk po vendoska, le të provojnë të bëjnë koalicion pa Vjosën pra. Masi po vendoska Lutfi Haziri e Agim Veliu. A po vendoska Lutfi Haziri, le të merren vesh me të, e jo me Vjosa Osmanin’’, kishte thënë Osmani në Pressing.

Deri tani bisedimet në mes të LDK-së dhe VV-së kanë ngecur pas një mosmarrëveshje në mes të këtyre dy partive.

Një burim brenda takimit i ka thënë Insajderit se LDK ka vënë kushte që nuk po i pranon Lëvizja Vetëvendosje.

LDK e Isa Mustafës po i kërkon pesë ministri, të drejtën e zgjedhjes e para, me sistemin “një ne, një ju”.

Në të drejtën për zgjedhje po kërkon e para ta merr Ministrinë e Punëve të Brendshme. LDK nuk po “lëshon pe” as nga pozita e Presidentit dhe Kryeparlamentarit.

Vetëvendosje në anën tjetër nuk po pranon që Lidhja Demokratike e Kosovës ta merr MPB-në sepse heqje dorë nga kjo ministri s’e lejon ta realizojë premtimin për rend dhe ligj.

“Ajo çka po kërkon LDK, nuk po pranohet nga VV sepse në ndarje të pushtetit LDK po merr hise më shumë. Kjo po rrezikon negociata”, ka thënë një burim për Insajderin.