Komandanti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) të KFOR-it, Stefano Fedele, dhe komandanti i Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) Gjeneralmajori Franco Federici, mirëpritën kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në prani edhe të udhëheqësve të njësive të këtij regjimenti u prezantuan funksioni dhe aktivitetet e MSU-së që vepron në Kosovë që nga viti 1999.

Më pas, gjatë drekës së punës u diskutua situata e sigurisë në vend dhe bashkërendimi i veprimeve ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it.

“E kaltra për drejtësi dhe besnikëri, e kuqja për guxim dhe sakrificë janë ngjyrat simbol të karabinierisë, që shërben në Njësinë e Specializuar Shumëkombëshe (MSU) të KFOR-it”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e dërguar nga kryeministria.