Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria e tij është duke punuar në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale.

Kurti ka folur për Kodin e Procedurës Penale. Sipas tij, 22 vite pas luftës, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë.

“Sot u mbushën dy vjet prej kur Kuvendi i Republikës së Kosovës pati ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke mundësuar kështu gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. 22 vite pas luftës, e dy vjet pas këtij plotësim-ndryshimi, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje, i pari i ekzekutivit ka nënvizuar se me themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, do të kemi dokumentim të qartë e të plotë mbi krimet e Serbisë në vendin tonë.

“Duke pasur prioritet adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Qeveria jonë ka bërë sërish ndryshimet e nevojshme për të lehtësuar punën e institucioneve të drejtësisë për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Jemi duke punuar edhe në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale. Ndërkaq, me themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, do të kemi më në fund dokumentim të qartë e të plotë mbi krimet e Serbisë në vendin tonë”, ka thënë Kurti.

Në fund, Kurti ka thënë se Kosovës i nevojiten prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë e të ditur.