Ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në dhomat e paraburgimit në Hagë, ka muaj që nuk kanë pasur mundësi të takohen me familjarët e tyre.

Kjo për shkak të masave që Gjykata Speciale ka ndërmarrë për të mbrojtur të burgosurit nga mundësia e infektimit me virusin COVID-19.

Në një përgjigje për lajmi.net, Specialja nuk ka bërë të ditur nëse po planifikohet vaksinimi i familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së me vaksinat anti-Covid, në mënyrë që t’iu mundësohen vizitat fizike me të burgosurit.

Ata kanë thënë se aktualisht të burgosurit janë duke shfrytëzuar forma të tjera të vizitave virtuale.

“Në lidhje me vizitat familjare, bazuar në këshillat mjekësore për mbrojtje nga COVID-19, KSK zbaton masat e nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur shëndetin e të burgosurve dhe të tjerëve në Qendrat e Paraburgimit. Në çdo kohë, KSK-ja ka parasysh shëndetin dhe mirëqenien e individëve në Qendrën e Paraburgimit dhe i bazon politikat e saj në këshillat aktuale mjekësore”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media nga Gjykata Speciale.

Ata kanë thënë se e kuptojnë që rifillimi i vizitave personale mes të burgosurve dhe familjarëve të tyre ka rëndësi të madhe, andaj edhe masat aktuale janë nën rishikim të vazhdueshëm për ndonjë ndryshim të mundshëm.

“Duke e pasur parasysh, këto masa të përkohshme janë nën rishikim të vazhdueshëm, duke u bazuar në situatën e përgjithshme të shëndetit publik dhe situatës specifike brenda Qendrave të Paraburgimit, për shembull në lidhje me vaksinimet. Ndërsa ekzistojnë masa që kufizojnë vizitat personale, në mënyrë që të sigurojë një kontakt domethënës, Sekretari ka autorizuar video-vizita për t’u siguruar të burgosurve një mjet shtesë për të mbajtur marrëdhëniet familjare. Për më tepër, për të lehtësuar më tej kontaktet, një numër i arsyeshëm i thirrjeve telefonike financohet nga Sekretariati i KSK-së. Siç është rasti me vizitat personale, kur këto janë të mundshme, KSK u siguron anëtarëve të ngushtë të familjes procedura të përshpejtuara për të organizuar video-thirrje dhe komunikime të tjera sa më lehtë të jetë e mundur.”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Ata kanë bërë të ditur se Njësia për Menaxhimin e institucionit të Paraburgimit sigurohet që të gjithë të paraburgosurit të kenë mjete për të ruajtur marrëdhëniet personale me anëtarët e familjes dhe të tjerët gjatë qëndrimit në paraburgim, gjë që aktualisht po realizohet përmes video-kontakteve.

Në anën tjetër, i biri i Hysni Gucatit, Musli Gucati, ka thënë për lajmi.net se ende nuk kanë pasur mundësi të vizitave fizike në Hagë, shkaku i situatës me pandeminë.

“Sa i përket vizitave nuk kemi pasur mundësi ende të shkojmë shkaku i pandemisë. Ata që janë në paraburgim në Hagë janë vaksinuar tashmë, por për shkak që familjarët nuk jemi vaksinuar ende, nuk kemi pasur mundësi të shkojmë. Po presim rreth muajit korrik ndoshta mund të kryejmë vizita, ndërsa aktualisht kemi kontakte telefonike dhe me aplikacionin ‘Zoom’”, ka thënë Gucati.

I pyetur nëse kanë pasur ndonjë kontakt nga institucionet në mënyrë që t’iu mundësohet vaksinimi, Gucati ka thënë se më këtë çështje po merret vëllai i tij.

“Për këtë çështje më shumë është duke u marrë vëllai, andaj nuk e di çfarë të them diçka saktësisht. Ndoshta ka mundësi që gjatë verës të shkojmë në vizita, nëse familjarët vaksinohen dhe nëse na lejojnë nga Specialja për të bërë vizita pra në rast se Holanda i lehtëson masat”, ka thënë Gucati.

Lajmi.net ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, për të kuptuar nëse ekziston ndonjë plan për vaksinimin e familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së, ose nëse kanë pasur ndonjë kontakt me Dhomat e Specializuara në mënyrë që familjarëve të të burgosurve në Hagë, t’iu mundësohen vizitat fizike atje.