Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka vizituar sot pikë kalimin kufitar në Merdare, në këtë kohë kur bashkatdhetarët kthehen në Kosovë për t’i kaluar pushimet verore, shkruan Llapi.info.
Në një postim në Facebook, i pari i Podujevës është shprehur se pikërisht këta mërgimtarë, sipas tij, janë infuzioni ekonomik për Kosovën.
“Mirë se vini bashkatdhetarë. Sot vizitova pikën kufitare në Merdar për të mirëpritur bashkatdhetarët që po vijnë në Kosovë. Aty i pritëm me aktivistë të Lëvizjes dhe ju ofruam nga një shishe me ujë. U gëzova kur pashë se pritjet e bashkatdhetarëve në pikën kufitare në Merdar janë minimale. Mërgimtarëve tanë ju urova mirëseardhje në vendlindjen e tyre. Bashkatdhetarët i japin gjallëri verës dhe janë infuzioni i vërtetë ekonomik i vendit tonë. I falënderoj nga zemra për kontributin e vazhdueshëm të tyre”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, sipas të dhënave nga Qendra e Menaxhimit Kufitar, pritjet e bashkatdhetarë në pikën kufitare në Merdare janë vetëm 3 deri në 5 minuta./Llapi.info






