Lokale - eSIMy

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një letre i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti, duke e njoftuar se nuk do të shkojë në takimin me partitë opozitare, të thirrur nga Kurti.

Letrën që e ka siguruar Telegrafi, Hoxhaj kërkon transparencë dhe debat në Kuvendin e Kosovës.

Hoxhaj përmes kësaj letre është shprehur se çështjet e propozuara për diskutim nga Kurti pas vizitës së tij në Bruksel, siç janë marrëdhëniet me Belgjikën, me institucionet e BE-së dhe me vendet e rajonit, duhet të trajtohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Këto janë përgjegjësi të qeverisë dhe nuk janë tema të cilat duhet t’i diskutoni në takime të mbyllura me liderët e partive opozitare. Ndërsa, nëse përmes formulimit ‘çështje madhore’ i jeni referuar ndonjë teme tjetër të rëndësishme, atëherë unë ju ftoj që të jeni më konkret dhe më transparent, në mënyrë që edhe qytetarët e vendit të jenë të mirë informuar. Ju duhet t’i emërtoni saktë temat me emrat e tyre. Për çfarëdo ‘çështje madhore’, ju konfirmojmë gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar hapur dhe në interes të qytetarëve dhe të shtetit në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar ai.