Lokale - eSIMy

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se prej ditës së hënë do të hiqet masa e lëvizjes së qytetarëve prej orës 21:00 deri në mëngjes.

Zemaj, në një konferencë për medie, ka prezantuar edhe masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Me hapjen e kufijve, IKSHPK rekomandon kontrollin e detajuar për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Kosovë, duke marrë shënime të sakta të vend qëndrimit të tyre, numrin e telefonit dhe përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF. Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSH-së, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike si dhe kontaktet eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose të dyshimtë për COVID-19. Nga e hëna, qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit për shtatë ditë, ndërsa në vend të testimit të obliguar për COVID-19, për ata që hyjnë do të jenë kontrollet nga ekipet mjekësore në pikat kufitare”, tha Zemaj.

“Bazuar në situatën epidemiologjike, do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve. Nga dita e hënë hiqet masa/kufizimi i lëvizjes së lirë prej orës 21:00 deri në mëngjes”, ka thënë ai.

Zemaj ka shtuar se së bashku me IKSHPK-në do të vazhdojë të përcjellë situatën epidemiologjike, por kërkon të mbahet distanca nga qytetarët dhe të respektohen masat.

“Kërkojmë në mënyrë rigoroze të respektohen masat ndaj koronavirusit, të mbahen maskat, dhe distanca. Kërkojmë nga qytetarët, bizneset, gastronomia, të përmbahen strikt në rregullat tona. Shkeljet e rregullave konsiderohen rrezikim i shëndetit”, tha Zemaj.

Zemaj dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, kanë thënë se institucionet janë të furnizuara mirë me teste./Llapi.info