Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca në “Desk” të KTV-së ka thënë se Avdullah Hoti u shkarkua nga posti i zëvendëskryeministrit të parë pasi ishte njeriu kryesor pas rrëzimit të qeverisë.

Ai thotë se autoriteti de jure i Kurtit është dobësuar, por ai de facto i është ngritur.

“Në kuptimin e kompetencës ligjore Qeveria dobësohet. Ka autoritet de jure, dhe de facto. De jure ta jep pozita, ta jep karrigia. Kurtit nuk i rrjedh autoriteti nga karrigia, por nga lidhja që ka me popullin. Autoriteti de jure i tij është dobësuar, por ai de facto i është ngritë”, u shpreh ai.

Ai thotë se Qeveria do t’i kryejë detyrat e saj për luftimin e koronavirusit.

“Sa i përket menaxhimit me krizën e shëndetësisë mendoj se Qeveria do të kryejë detyrën e tij. Ekonomia po dëmtohet në përmasa globale dhe kjo do të ndikojë edhe te ne. Ekonomia do të tkurret në minimumin e ekzistencës së vet. Është një krizë globale dhe kjo do ta prekë Kosovën, dhe tashmë po e shohim dhe kjo rënie do të vazhdojë mirëpo me rëndësi është që çdo shtet i ka reduktuar detyrat në funksione esenciale dhe po ashtu ekonomitë të kenë minimumin e prodhimit për të plotësuar nevojat parësore. Jam i bindur se nuk do të ndodhë shumë. Të gjitha parashikimet janë që koronavirusi në verë do të ketë një rënie”, ka thënë ai.

Ai thotë se ministrat e LDK-së do të duhet të vazhdojnë të mbajnë detyrën.

“Deri tash asnjë ministër i LDK-së nuk ka dhënë dorëheqje, mendoj se ata duhet të vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre. Një pjesë e konsiderueshme të kohës edhe unë kam qëndruar në shtëpi. Por, edhe Mustafa tha se nuk do t’i dorëheqë ministrat, kurse edhe kryeministri ka vlerësuar ministrat e LDK-së. Kam kontakt me ministrat e LDK-së. Krejt kontaktet janë të fokusuar rreth përgjegjësive që ndajmë në këtë krizë. Do të ishte mirë që të qëndrojnë por, gjithçka varet prej tyre”, ka thënë Konjufca.

“U pa që ai (Hoti) ishte njeriu kryesor për rrëzimin e kësaj qeverie, nuk ka pse të jetë pjesë e kësaj qeverie aq më tepër kur përmend terma të tillë ndaj qeverisë dhe kryeministrit Kurti. Arsyetimet Hoti i ka dhënë në fjalimin e tij. Bile ai ishte njëri prej organizatorëve të mocionit. Problemi është këtu, se dikush prej një urimi fillon të vrapojë shpejt dhe pastaj merr në thua. Ai jeton në ëndrra për t’u bërë kryeministër, por kjo pa zgjedhje mendoj se është e pamundur. Hoti mund të dalë në zgjedhje”, u shpreh Konjufca.