Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është deklaruara para gazetarëve pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ku ka folur për çështjen e dialogut me Serbinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Konjufca ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të gjykohet ndryshe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe ndryshimit të madh politik që ka ndodhur që nga ajo kohë.

Sipas tij dialogu me Serbinë nuk do të zhvillohet në mënyrën si është zhvilluar deri më sot, sepse si i tillë i ka shkaktuar dëme të mëdha Kosovës.

“Dialogu i deritashëm që ka filluar në vitin 2011 ka qenë i formës së gabuar, ka qenë një dialog që ka trajtuar tema të brendshme të Kosovës, ka qenë një dialog që në fushat vitale të jetës institucionale të Kosovë dhe shkaktuar dëme të mëdha sidomos në fushën e drejtësisë.”

“Pra, niveli deri ku ka prek dialogu me Serbinë edhe marrëveshjet e nënshkruara e kanë prek arkitekturën e rregullimin institucional të Kosovës.”

“Neve na duhet një përfaqësim i ri politik, që vjen mas ndryshimit të rezultatit zgjedhor, i cili i jep një garanci shoqërisë tonë që gjëra të tilla nuk do të ndodhin.”, ka thënë ai.

Tutje ai ka shtuar se është i bindur që Albin Kurti nëse do të përfaqësojë dinjitetshëm atë që ka ndodhur me 14 shkurt. Sipas tij, e rëndësishme për kryeministrin në këtë takim është që Vuçiq të pranojë realitetin e ri.

“Jam i bindur që kryeministri Kurti në ditën e nesërme në takimet që i ka atje do të përfaqësojë dinjitetshëm pikërisht atë që ka ndodhë me 14 shkurt. E me 14 shkurtit qytetarët i kanë thënë stop shumë gjërave, por një prej gjërave më të rëndësishme në të cilën ata janë pozicionuar është dialogu me Serbinë.“

“Kurti në dialog me Serbinë do ta prezantojë opsionin e një dialogu në të cilin Kosova e kërkon atë që është substanciale në raport me Serbinë. E substancialë është që Republika e Kosovës të jetë shtet i njohur dhe i pranuar nga Serbia që Aleksandar Vuçiq ta pranojë realitetin e ri në Kosovë e një realitet është prej vitit 1999 e tjetri realitet është prej 14 shkurtit.”

“Prej 1999 është realiteti që Kosova është e lirë, nga 2008 që Kosova është e pavarur, e prej 14 shkurtit është një realitet tjetër që thotë që Kosova qeveriset prej një force politikë e cila nuk bën kompromise duke hapur temat e brendshme të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Konjufca.

Gjithashtu kryeparlamentari ka thënë se nuk duhet të lidhet dialogu me liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Do të ishte mirë që institucionet tona mos me lidh liberalizimin e vizave me dialogun që ka të bëjë me Serbinë, kushdo që e thotë këtë ia ka bërë një keqpërdorim të madh procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë ai.

Tutje ai ka shtuar se çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilit ai i referohet ‘Zajednicë’ është çështje e mbyllur dhe duhet të zbatohet vendimi i Kushtetueses.

“Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë qëndrimet e institucioneve tona duhet të jenë të qarta. Pozicionimi duhet të jetë ky – Asociacionin e ka hedhur poshtë Gjykata jonë Kushtetuese. Pas atij vendimi përpjekja për ridefinimin e një asociacioni të ri është shumë e vështirë dhe mendoj se institucionet e Kosovës nuk duhet ta pranojnë një qasje të tillë me vetë faktin që Gjykata jonë Kushtetuese ka thënë se një marrëveshje e tillë e Brukselit e cenon frymën e Kushtetutës tonë është shumë e rrezikshme nesër rihapet.”

“Institucionet tona duhet ta mbajnë qëndrimin që kjo është çështje e mbyllur, nuk duhet ta pranojnë ta rihapin krijimin e ‘Zajednicës’ në Kosovës, meqenëse ajo e ka prekur themelin e Kushtetutës tonë. Marrëveshja e vitit 2015 ka dashur të krijojë nivel të tretë të pushtetit në Kosovë gjë që Kushtetuta jonë nuk e lejon. Tash të thuhet që ‘Zajednica’ ka rënë poshtë, por duhet gjetur një modalitet tjetër për me ia bo vendin në Kushtetutë të Kosovës është qasje e gabuar dhe duhet të kundërshtohet prej çdo zyrtari institucional në Kosovë” ka përfunduar ai.