Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po kërkon zëvendësimin e avokatit mbrojtës David Hooper, me avokatin Gregory W. Kehoe, i cili kishte mbrojtur ish-gjeneralin kroat Ante Gotovinën.

Gregory Kehoe është avokat me mbi 30 vjet përvojë dhe ka mbrojtur individë, korporata dhe institucione financiare në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ai ka qenë avokat edhe i gjeneralit kroat Ante Gotovina në vitin 2007 në Tribunalin Special për Ish-Jugosllavinë ku ai u shpall i pafajshëm.

Kehoe gjithashtu përfaqësoi gjeneralin Mohammed Hussein Ali përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, gjë që çoi gjithashtu në një shkarkim të plotë për të gjitha akuzat.

Avokati Kehoe ka punuar për Departamentin e Drejtësisë të SHBA si prokuror për mbi 20 vjet me pozita në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Azi dhe Amerikën e Jugut.

Ndërsa shërbente si ndihmës i avokatit të SHBA, ai ishte përgjegjës për ndjekjen penale të një numri çështjesh të profilit të lartë që përfshinin institucionet financiare dhe akuzat e mashtrimit të korporatave, si dhe akuzat për raketim.

Kehoe gjithashtu ka drejtuar ekipin e avokatëve dhe hetuesve që këshilluan Tribunalin Special të Irakut, një gjykatë e formuar për të ndjekur penalisht Saddam Hussein dhe anëtarët e ish-regjimit të tij.

Kjo kërkesë e Thaçit është dërguar më datën 18 maj, ku në të njejtën ditë Hooperi kishte kërkuar aprovimin e largimit të tij nga pozita e avokatit kryesor të ish-presidentit.

Gregory Kehoe e ka konfirmuar këtë kërkesë dhe se do ta pranojë të zëvëndësojë Hooperin.

“Z. Kehoe konfirmoi për Zyrën e Mbrojtjes se ai ishte thirrur me një kërkesë për të përfaqësuar Z. Thaҫi dhe se ai do të pranonte emërimin. Z. Kehoe pranohet në Listën e Këshilltarit Specialist në përputhje me Seksionin 7 të Direktivës për Avokatin”, thuhet në dokument.