Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur kërkesën për paraburgim ndaj E.M. për shkak të dyshimit të bazuar se ka shkaktuar aksidentin në fshatin Koshare, ku vdiqën katër anëtarë të një familjeje.

Ndaj të dyshuarit është iniciuar vepra penale “Rrezikim i trafikut publik”.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 06 Qershor 2021, rreth orës 15:37, në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare, komuna Ferizaj, i pandehuri E.M., duke drejtuar automjetin e markës “Audi A8”, me të arritur përballë firmës “LS Qeramika” nga pakujdesia, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për rregullat e trafikut rrugor dhe duke mos ia’ përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, tejkalon në vijë të plotë dhe kalon në shiritin e majtë rrugor dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e markës “Golf II”, i cili ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj, ku në këtë aksident pësojnë lëndime vdekje-prurëse drejtuesi i automjetit “Golf II” N.R., dhe tre pasagjerët e tjerë, tani të ndjerët Xh.R., S.R., dhe djali i tij i mitur, ndërsa, lëndime të rënda trupore pëson pasagjerja I.R., e cila është dërguar në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës (QKUK) për tretman të mëtejmë”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

I dyshuari është arrestuar të dielën dhe gjendet në ndalim 48 orësh.