Përparim Rama, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës ka folur për herë të parë pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij.

Ai tha se hyrja e tij në garën për Prishtinën nuk është politike, por më shumë është një projekt që duhet menaxhuar si duhet.

Rama madje tha se është apolitik.

“Nuk mendoj që gara për kryetar të Prishtinës është politike, më shumë është menaxhim i strukturave të kryeqytetit. Më shumë është një menaxhim i kryeqytetit. Është një projekt, një proces që duhet menaxhuar mirë. Unë jam apartiak, por menaxhimi është primar”, ka thënë Rama në Klan Kosova.

Rama tha se Prishtina ka një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e tij personal e profesional.

“Jam nga Prishtina, kam lindur në Prishtinë dhe kam jetuar këtu deri në moshën 16 vjeçare, prej vitit 2004 deri tash e kam studion në Prishtinë, tash e 17 vite jam edhe në Prishtinë dhe në Londër. Prishtinën e dua me shpirt se jam prej këtij vendi dhe ma ka dhënë bazën të jem ai që jam, këtu i kam mësuar gjërat fillestare, nga familja, nga shkolla nga miqtë”, është shprehur Rama.

“Për atë arsye mundohem që ndërlidhja ime me Prishtinën të zhvillohet edhe më shumë për mua dhe për të dashurit e mi, dhe për ta ndihmuar këtë vend për gjeneratat e reja, prandaj ndërlidhja ime me Prishtinën është dashni, dashni mes meje dhe Prishtinës”.