Burim Maloku, i cili jeton dhe punon në Gjermani, ku edhe ka krijuar një kompani të tij, ka dhuruar 20 mijë maska për Podujevën, njofton Llapi.info.

Kështu ka bëtë të ditur në një postim në Facebook, kreu i Komunës, Shpejtim Bulliqi, derisa ka shtuar se edhe 20 mijë maska të tjera, përveç Podujevës, Maloku i ka dhuruar QKUK-së.

“Prita në takim bashkatdhetarin Burim Maloku, i cili sot ka dhuruar donacion 20 mijë maska për Komunën e Podujevës. Burimi si një djalë i ri e shumë punëtor ka krijuar një kompani serioze në Gjermani dhe me punën e tij ka arritur të korr suksese në fushën e biznesit. Ai ka dhuruar donacion 40 mijë maska, 20 mijë janë dedikuar për QKUK dhe 20 mijë të tjera për vendlindjen e tij, Podujevën”, ka shkruar ai.

“Në takim e pritëm bashkë me drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu, dhe në emër të gjithë qytetarëve të Komunës së Podujevës e falenderuam për donacionin e dhuruar për komunën tonë. Duke qenë të vetëdijshëm se ende gjindemi në situatë të pandemisë, këto maska janë shumë të nevojshme. Ne shkëmbyem kontaktet me Burimin që edhe në të ardhmen të bashkëpunojmë në dobi të qytetarëve”, thotë tutje Bulliqi në Facebook./Llapi.info