Sot zhvillohen dy super-ndeshje në kuadër të xhiros së 27-të të Superligës së Kosovës në futboll, derisa kjo javë takon Llapin dhe Gjilanin, njofton Llapi.info.

Dueli i kësaj jave ndërmjet Gjilanit dhe Llapit pritet të nis me fillim nga ora 17:00 në stadiumin “Agim Ramadani”, në Gjilan.

Pas 26 ndeshjeve, Llapi renditet në vendin e gjashtë me 38 pikë, ndërsa Gjilani në pozitën e tretë me 51 sosh.

Gjatë këtij edicioni, Llapi dhe Gjilani janë ballafaquar dy herë, ndërkohë që të dyja ekipet kanë shënuar fitore në shtëpi. Në ndeshjen e parë, Gjilani triumfoi me rezultat 3-0, kurse Llapi në Zahir Pajaziti e kishte mposhtur me rezultat 2-1.

Djelmoshat të udhëhequr nga Tahir Batatina synojnë rezultat pozitiv në këtë ndeshje, derisa llapjanët s’kanë realizuar fitore në tri javët e fundit. Kurse, gjilanasit synim të vetëm kanë arkëtimin e pikëve të plota për të mbetur në hap me skuadrat lidere për titullin e madh.

Bardh e kaltrit nga Podujeva në këtë ndeshje hynë pas barazimit me Prishtinën, e në anën tjetër Gjilani mposhti Dukagjinin.

Kreshnik Vula, Besnik Morina dhe Benon Këpuska do ta ndajnë drejtësinë në këtë duel./Llapi.info