Ish-komisionerja e Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve (KQZ), Flutura Beqiri, është deklaruar fajtore për falsifikim të rezultatit të votimit në zgjedhjet lokale të vitit 2017, në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, e akuzuara Beqiri deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, duke shtuar se është penduar për veprimin e bërë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Buzhala tha se nuk kundërshton pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës, meqenëse sipas tij një pranim i tillë ka mbështetje në prova në të cilat mbështetet edhe aktakuza.Më pas, gjykatësi Drilon Haraçia e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës, derisa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të bëhet më 8 prill, duke filluar nga ora 11:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 26 shkurt të këtij viti, Flutura Beqiri po ngarkohet me veprën penale “falsifikimi i rezultatit të votimit” nga neni 219, paragrafi 2-1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 22 tetor 2017, në shkollën fillore “Isa Boletini” në Komunën e Rahovecit, pas mbylljes së vendvotimeve pas orës 19:00, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e saj lidhur me zgjedhjet, ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

Tutje sipas aktakuzës, ajo këtë e ka bërë në atë mënyrë që ditën kritike, e cila ishte e autorizuar nga KQZ si kryesuese e komisionit zgjedhor në vendvotimin që gjendej në shkollën “Isa Boletini”, pikërisht pas numërimit të votave në Formularin e Rezultateve të Kandidatëve, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ka regjistruar në mënyrë jo të saktë brenda një subjekti politik ka hequr votat e disa kandidatëve dhe ka shënuar disa kandidatë tjerë, duke regjistruar në mënyrë jo të saktë 158 vota, prej tyre 96 vota të shtuara dhe 62 vota të hequra, më ç’rast gjithsej 158 vota i ka dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike për zgjedhjet lokale.