Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj sot gjatë zyrtarizimit të kandidaturës së Agim Aliut për kryetar të komunës së Ferizajt kritikoi ashpër kryeministrin Albin Kurti për mashtrimin që po u bën qytetarëve të Kosovës.

Hoxhaj tha se Kurti dhe vartësit e tij janë mohues të lirisë e pavarësisë, të cilët ”për 20 vjet kanë akuzuar të tjerët për tradhëti, sidomos Presidentin Hashim Thaçin dhe kryetarin Kadri Veselin, sa herë që Kosova ka dashur ta mbyllë marrëveshjen me Serbinë”.

“Mos e takoni Vuçiqin pa kërkuar falje Serbia për krimet gjenocidale në Kosovë dhe pa i kthyer të pagjeturit, thoshte Albin Kurti. E sot jo vetëm po e takon pa ndodhur asnjëra nga këto, por ai i është nënshtruar Serbisë dhe Vuçiqit pa kushte dhe po e përgatitë ndarjen e Kosovës. E këtij mashtruesi do t’i themi ndal kur të vjen koha”, theksoi Hoxhaj.

Ai tha se këtë klimë të urrejtjes dhe modelin e mashtrimit e të rrënimit e ka krijuar Albin Kurti, i cili çdo ditë po zhgënjen edhe votuesit më besnik të tij duke u shfaqur qesharak kur po i arsyeton pa fije turpi punësimet familjare e nepotike.

“Çka bënë daja për nipin? E shtin në punë. Ky është model i kësaj qeverie ku fatkeqësisht është provuar në komunat si Prizreni dhe Prishtina e do ta përjetojmë edhe në nivel qendror së shpejti”, tha Hoxhaj.