Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas publikimit të raportit nga Ambasada e ShBA-së rreth menaxhimit të Liqenit të Ujmanit.

Sipas nënshkruesit të marrëveshjes, qeveritarët akualë dhe disa që janë në opozitë duhet të kërkojnë falje që kritikuan marrëveshjen e Uashingtonit, pasi siç thotë ai “koha po nxjerrë në dritë të gjitha të vërtetat dhe mashtrimet elektorale”.

Hoti ka bërë thirrje që të respektohet kjo marrëveshje. Sipas tij, ndonëse është konfirmuar nga Administrata Biden se është në përputhje me interesat e përbashkëta të ShBA-së dhe Kosovës, kjo e fundit nuk po ndërmerr asnjë veprim konkret.

Ky është postimi i plotë i Avdullah Hotit në rrjetin social “Facebook”

A e cenon sovranitetin e Kosovës studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, i përgatitur nga mbrojtësi më i madh i sovranitetit të Kosovës (SHBA), që u publikua sot?!

Ata që nuk lanë gjë pa thënë për këtë studim dhe për gjithë marrëveshjen e Ëashingtonit, të cilët sot janë disa në Qeveri e disa në opozitë, duhet së paku të kërkojnë falje. Iu pata thënë të mos nguten. Koha po nxjerrë në dritë të gjitha të vërtetat, si dhe të gjitha mashtrimet elektorale e politike.

Ata që tani janë në Qeveri DUHET të kujdesen për realizimin e projekteve që burojnë nga Marrëveshja e Ëashingtonit: projektet e hekurudhave dhe autostradave, energjisë së ripërtërishme, furnizimit me gaz, si dhe krijimin e mundësive për financim për bizneset private të Kosovës në tregje financiare të SHBA-së. Ndryshe nuk do ta kenë të gjatë, siç nuk e patën të gjatë as vitin e kaluar.

Administrata e Presidentit Biden e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje, sepse eshtë në përputhje me interesat e përbashkëta të SHBA-së dhe Kosovës.

Por, Kosova nuk po ndërmerr asnjë veprim konkret. Asgjë nuk është bërë që nga përmbyllja formale e njohjes nga Izraeli në fillim të shkurtit, të cilën njohje gjithashtu e kritikonin dhe nuk e besonin se do të formalizohet me vendosje të marrëdhënieve diplomatike.