Që nga e dita e shtunë, rreth 800 qytetarë të komunës së Deçanit, kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të helmimit.

E gjatë së hënës, janë raportuar dy raste të vdekjes të cilat po cilësohen si të dyshimta, shkruan Reporteri.net.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, se për shkak të situatës së krijuar në Deçan nga rastet e dyshuara për helmim nga uji, prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, tha Nikçi për Reporterin.

Ndryshe, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, të hënën nëpërmjet një konference, ka thënë se nuk kanë vërejtur ende nëse personat e infektuar në Deçan kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të ujit të kontaminuar.

Ndërsa kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se janë duke bërë përpjekje maksimale për gjetjen e shkaqeve të këtij helmimi dhe deri më tani të gjitha dyshimet janë vetëm hipoteza.

Sipas tij, kanë dyshime edhe për një skemë të qëllimshme. Ai nuk elaboroi për këtë, por tha se duhet t’i lihet organeve të hetuesisë.