Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas vendimit për dënimin me burgim të përjetshëm të kriminelit serb, Ratko Mladiq.

Haxhiu tha se edhe Serbia është fajtore për krimet e kryera nga Mladiqi.

“Për këtë krim nuk është fajtor vetëm Mlladiq, por edhe vet Serbia si përgjegjësja dhe planifikuesja e këtij gjenocidi. Shteti i Serbisë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit ka kryer gjenocid edhe në Kosovë, përveçse paraprakisht në Bosnjë. Krimet e kryera në këto dy vende nuk janë individuale, ato i gjejmë të planifikuara e urdhëruara nga vet shteti serb”, shkroi ajo.

Prandaj ajo thotë se Kosova duhet të përgatisë mirë padinë për gjenocid ndaj Serbisë, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për mijëra të vrarë.

“Në këtë drejtim është e domosdoshme që krahas evidencës shtetërore përmes Institutit për Krimet e Luftës dhe fuqizimit të institucioneve të drejtësisë për adresimin e krimeve të luftës, të përgatisim mirë edhe Padinë për Gjenocid ndaj Serbisë në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për mijëra të vrarë, mijëra gra e burra të dhunuara, mijëra shtëpi të djegura e shkatërruara e shumë pasuri të plaçkitur e vjedhur dhe një popull të tërë të përzënë nga trojet e tyre”, shkroi ajo.

Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm sot në Hagë.