Photo: Atdhe Mulla /K2.0

Qeveria Kurti nuk e ka shënuar asnjë rezultat pozitiv në 100 ditët e para. Premtimet e Vetëvendosjes për luftë ndaj krimit, korrupsionit, familjarizmit, nepotizmit dhe vënien e drejtësisë, po dalin një mashtrim. Kështu vlerëson ish-deputetja e LDK-së, tani anëtare e Kryesisë së kësaj partie, Besa Gaxheri në një interivstë për Gazetën Online “Reporteri.net”.

Ajo kritikon edhe qasjen e kryeministrit Albin Kurti në dialogun me Serbinë, të cilën e quan zhgënjim, pasiguri dhe rrezik, ndërsa shton se kreu i ekzekutivit duhet të kërkoj publikisht prezencën e SHBA-së në dialog.

Gaxherri në këtë intervistë tregon nëse LDK-ja do të përfshihet në dialogun me Serbinë, flet për deklaratën e ambasadorit amerikan, Philipp Kosnett i cili tha se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, shkarkimin e kryetares së KQZ-së, përplasjen e Agim Veliut me Lumir Abdixhikun si dhe për komunat që mund t’i fitojë LDK-ja.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë me Besa Gaxherrin, anëtare e Kryesisë së LDK-së dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”.

Reporteri.net: Qeveria Kurti edhe pak ditë mbush 100 ditë. Si i keni parë ju si parti opozitare?

LDK, nga pozita e opozitës është tejet e angazhuar, për të monitoruar qeverisjen Kurti, jo vetëm me kritika por duke ofruar edhe alternativa për zgjidhjen e problemeve.
LDK, nuk është që ka pritur mirëqeverisje nga Vetëvendosje, sepse tanimë VV është sprovuar edhe më parë, qoftë me pak ditë në qeverisjen nacionale por edhe qeverisjet komunale nga VV janë dështim total, si Prishtina, Prizreni e Mitrovica, por të them të drejtën unë së paku kam pritur një performancë më të mirë nga VV, sepse nuk mund t’i vlerësojmë si krejt pa përvojë.
Fatkeqësisht 100 ditët e qeverisjes Kurti janë pa asnjë rezultat pozitiv për qytetarët e vendit dhe Kosovën.

A ka bërë ndonjë punë të mirë Kurti që nuk mund t’ia mohoni edhe ju si opozitë?

Cilado parti politike që qeveris me vendin ka për obligim të bëjë punë të mira për vendin dhe ne duhet të mësohemi që t’i pranojmë sukseset e njëri-tjetrit, tek fundit punët e mira flasin vet. Nuk patëm kënaqësinë që nga kjo qeveri të shohim ndonjë punë të mirë.

Kjo qeveri ka fituar zgjedhjet mbi 50 përqind, me premtimet, për luftën ndaj krimit, korrupsionit, familjarizimit, nepotizmit, vënien e drejtësisë në funksion, punësimin, zhvillimin ekonomik, përmirësimin e sistemit shëndetësor etj. Asnjë hap pozitiv në këtë drejtim nuk kemi parë, por kemi parë të kundërtën, shkarkime të bordeve e agjencive dhe emërime familjare e partiake, asnjë veprim tjetër në asnjë fushë nuk ka. Premtimet e VV-ë s’po kthehen në mashtrim.

Si e keni parë takimin e kryeministrit Kurti me presidentin serb Vuçiq? Po 4 pikat e paraqitura nga ai?

Edhe vet takimi me presidentin serb është, thyerje e premtimeve si: nuk ka dialog me Serbinë por me serbët e Kosovës, nuk ka dialog me Serbinë pa kërkuar Serbia falje për krimet e bëra në Kosovë, me Serbinë brenda ditëve të para të qeverisjes do vejmë reciprocitetin, ku mbetën këto parulla?

Kurti po vazhdon dialogun pa transparencë dhe pa përgatitje apo prezantim të një platforme e cila se paku ishte dashur të mbështetet nga të gjitha partitë. Nuk e bëri.
I ftoj partitë opozitare në takim sa për sy e faqe dhe e bëri sipas tij një taktikë elektorale për konsum të brendshëm.

LDK dialogun me Serbinë nuk e sheh temë elektorale, prandaj ishte në takim me kryeministrin Kurti, për të ofruar platformën e vet, fatkeqësisht kaq mbeti bashkëpunimi i qeverisë Kurti me opozitën.

Ofrimi i pikave të reja në tryezën e dialogut është totalisht gabim. Qeveritë e Kosovës duhet të mësohen të ruajnë kontinuitetin e qeverive paraprake dhe assesi të mos bëjnë hapa mbrapa me inatin se qeveria paraprake ka pasur rezultate të caktuara.

Siç e dimë dialogu me qeverinë Hoti, pati hyrë në fazën e përmbylljes, me parimet: nuk ka marrëveshje para marrëveshjes përfundimtare, pra njohja reciproke, si dhe as marrëveshjet e arritura nuk do ekzekutohen para marrëveshjes finale, këto parime i kishte vënë kancelarja Merkel dhe presidenti Makron.

Sjellja e kryeministrit Kurti në raport me dialogun, është zhgënjim, pasiguri dhe rrezik. Kurti, duhet të kërkoj publikisht prezencën e SHBA-së në dialog, nuk duhet të hapen tema të reja, por dialogu të përmbyllet, duke u mbështet në Kushtetutën e vendit dhe vendimit të GJND-së.

Qeveria e Kosovës duhet të mos tregojë arrogancë, të jetë pjesë e tavolinës por pa kompromise, në sovranitet, integritet dhe territor, gjithmonë në koordinim me SHBA-të dhe partitë politike në Kosovë. Vetëm kështu do të jemi fitues të dialogut.

Si LDK a do t’i bashkëngjiteni dialogut nëse këtë ju kërkon kryeministri Kurti por dhe SHBA në një moment të caktuar?

Kosova është shtet i pavarur me institucione demokratike tashmë të konsoliduara.

Roli kushtetues i pozitës është përgjegjësia edhe për dialogun. Ne nuk do jemi pjesë e dialogut, por do jemi tejet konstruktiv, si gjithmonë e sidomos në këtë temë.

Ambasadori amerikan, Philipp Kosnett ka deklaruar se Kosova ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Cili është qëndrimi i LDK-së për këtë?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, është tashmë një marrëveshje ndërkombëtare e aprovuar në Kuvend, por ky Asociacion bazuar edhe në marrëveshje edhe në mendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk do ketë rol ekzekutiv, këtë e di BE, Serbia dhe SHBA, nuk do ketë ndërrim të rendit kushtetues brenda territorit të Kosovës.

Në partinë tuaj hapur ka një përplasje mes kryetarit Lumir Abdixhiku dhe deputetit Agim Veliu. A mund të shkaktojë kjo një përçarje të re në LDK?

Në LDK, mund të ketë pakënaqësi apo papajtueshmëri në mes të zyrtarëve të caktuar, por në LDK nuk ka përplasje, jemi duke u mobilizuar çdo ditë për zgjedhjet lokale të tetorit të këtij viti.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor. Cilat komuna besoj se do t’i fitojë LDK-ja?

LDK, përkundër rezultatit të dobët të 14 shkurtit, i ka të gjitha strukturat e mobilizuara në tërë Republikën e Kosovës, janë disa degë që ne po i ristrukturojmë dhe garën do e bëjmë për fitore në të gjitha komunat, ani pse ka komuna në të cilat e kemi më lehtë apo të sigurt dhe kemi komuna në të cilat kemi më pak mundësi.

Përveç komunave që i qeverisim tani, do e kthejmë Prishtinën, Podujevën, Prizrenin etj.

Për fund, si e keni parë shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, nga presidentja Vjosa Osmani?

Zhgarkimi i kryetares së KQZ Valdete Daka, është krejtësisht i panevojshëm dhe i paarsyeshëm.

Përveç se po presim vlerësimin juridik nga Gjykata Kushtetuese, shkarkimi i saj ka përcjell një mesazh tejet negativ për Kryeministrin dhe Presidenten.

Nuk duhet të harroj askush se zgjedhjet në Kosovë janë të vlerësuara nga institucionet ndërkombëtare, si më të mirat në regjion e më gjerë. Nuk duhet të harroj askush se pikërisht me këtë zonjë, ish-opozita i ka fituar zgjedhjet mbi 50 përqind, ku është problemi?

Fatkeqësisht ky është një sinjal se partitë në pushtet duan ta kapin çdo institucion duke i pasur në kontroll siç është edhe rasti me KQZ.