Blerim Maçastena, i cili ishte arrestuar me 12 dhjetor nga policia serbe, sot është liruar nga burgu.

Në një prononcim për Klankosova.tv, Maçastena ka thënë se atë natë kur ka ndodhur arrestimi, ishte i infektuar me Covid-19 dhe kishte dal për ecje me shokun e tij, por që më pas kishin humbur rrugën.

”Atë natë kur ka ndodhë arrestimi isha me virus dhe kemi dal për të ecë me një shok, por, pastaj ka filluar të errësohet dhe ishte mjegull e madhe dhe më pas e kemi humbur rrugën. Kemi tentuar që ta kontaktojmë policinë, por ka qenë e pa mundur, pasi qe ka qenë zonë e thellë. Pas kësaj, kemi filluar që të ecim dhe kemi dal në kufi dhe më pas jemi arrestuar nga xhandarmeria serbe”, është shprehur Maçastena, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai thotë se trajtimi në burg për këta muaj ka qenë korrekt dhe nuk ka ndonjë ankesë.

”Trajtimi ka qenë korret, nuk kam ndonjë ankesë, sot kam dal para gjykatës dhe jam shpallë i pafajshëm, por, prokurorja e rastit ka kërkuar që të më dënojë me tri vite burg për armëmbajtje pa leje, por që avokatja ime i ka prezantuar provat që revolja ishte me leje dhe më pas jam liruar”, ka thënë Maçastena.