Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu ka akuzuar rëndë qeverisjen e deritanishme të LDK-së në Podujevë. Ai ka thënë se tashmë Komuna e Podujevës nuk është më bastion e asnjë partie politike, shkruan Llapi.info.

“Kam vendosur që të hyjë në garë për të bërë më të mirën për qytetarët, sepse e ndjej obligim që të jap kontributin tim për një jetë më të mirë për qytetarët. Mendoj se kam përgatitjet e nevojshme, e cila më garanton se mund të fitojë dhe t’i realizojë premtimet që i bëjë”, ka thënë Fetahu në RTK.

Sipas tij, qytetarët e Komunës së Podujevës nga qeverisja e deritanishme janë në gjendje, siç ka thënë ai, tejet të rëndë. Ai ka akuzuar pushtetin aktual se punësimet janë bërë në baza partiake.

“Komuna e Podujevës më s’është bastion e asnjë partie politike. Ne do ta bëjmë ndryshimin. Nga qeverisja e deritanishme, qytetarët janë në një gjendje tejet të vështirë. Ka munguar transparenca dhe llogaridhënia. Nuk janë respektuar meritat e njerëzve qoftë në punësime dhe avancime. Kemi pasur emërtime politike dhe mendoj se ka kaluar koha që këta njerëz që kanë krijuar situatë të tillë të vazhdojnë tutje. Synimi im është të bëjmë ndryshimin. Prioritet numër një është zhvillimi ekonomik, deri më tani s’ka pasur. Podujeva ka mbetur e ngulfatur dhe izoluar. Jemi duke mbledhur ekspertët dhe do ta përgatisim ofertën tonë për qytetarët e Komunës së Podujevës, në të cilën rol të veçantë do të ketë edhe shëndetësia”, ka thënë Fetahu.

“Është e vërtetë që në administratë, arsim dhe shëndetësi ka munguar llogaridhënia dhe transparenca. Njerëzit janë punësuar në bazë të librezave partiake dhe ne do të përpiqemi që ta ndryshojmë administratën duke respektuar ligjin. Do t’i hapim rrugë rinisë dhe njerëzve të përgatitur, duke u krijuar hapësira atyre. Do të mundohemi t’i trajtojmë njerëzit barabartë”, është shprehur ai.

Tutje ai ka ironizuar edhe me vendosjen e semaforit të parë në këtë komunë para pak muajsh, duke thënë se nga kjo vërehet niveli i zhvillimit në Llap.

“Si Komunë ndër më të mëdhatë në Kosovë e ka vetëm një çerdhe. Ka pasur gëzim të cilat kanë shkuar deri në shaka kur është vendosur semafori i parë. Në këtë komunë me rreth 100 mijë banorë me pasur një semafor tregon për nivelin e zhvillimit”, ka thënë ai./Llapi.info