Një fermer në Belgjikë ka shkaktuar hutim pasi pa dashje ka lëvizur kufirin e vendit me Francën.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, një entuziast i historisë lokale ishte duke ecur në pyll kur vuri re se guri që shënonte kufirin midis dy vende ishte zhvendosur 2.29 metra.

Fermeri belg, me sa duket i bezdisur nga guri në rrugën e traktorit të tij, e kishte zhvendosur atë brenda territorit francez.

Në vend që të shkaktojë trazira ndërkombëtare, incidenti ishte pritur me buzëqeshje në të dyja anët e kufirit.

“Ai e bëri Belgjikën më të madhe dhe Francën më të vogël, nuk është një ide e mirë”, tha David Lavaux, kryetar i fshatit belg, Erquelinnes, për kanalin televiziv francez TF1. Kjo lloj lëvizje shkaktoi një dhimbje koke midis pronarëve privatë të tokave, theksoi ai, e lëre më te shtetet fqinje.

Kufiri midis Francës dhe Belgjikës i cili shtrihet 620 kilometra, u vendos zyrtarisht nën Traktatin e Kortrijk, nënshkruar në vitin 1820 pas humbjes së Napoleonit në Waterloo pesë vjet më herët. Guri daton që nga viti 1819, kur kufiri u shënua për herë të parë.