Në Xhaminë e re “Sevdaim Kajtaz Sinani” në Podujevë është bërë falja e namazit të Kurban Bajramit, raporton Llapi.info.

Numër i madh i qytetarëve kanë kryer para pak minutash faljen e këtij namazi në xhaminë e përuruar muaj më parë në qytetin e Podujevës.

Imami i kësaj xhamie, Berat Avdiu, gjatë hutbes ka thënë se e veçanta e kësaj feste, siç ka thënë ai, është vizita e të afërmve për t’u uruar këtë festë dhe ajo barazisë sociale.

No description available.

“Filozofia e festave islame vije pas çdo sakrifice. Kurban Bajrami vije si rezultat i sakrificës tonë që të therim kurbane. Për dallim nga festat tjera, festat tona nisin me lutje e adhurim. Festat tona nuk janë të lotit, por për t’u gëzuar. Në këtë ditë sakrifica jonë është kurbani, i cili shpreh devotshmërinë ndaj Zotit. Kurban Bajrami e ka edhe atë veçantinë sociale me shpërndarjen e Kurbanit me familje tjera”, ka thënë Avdiu.

Më tej, imami i kësaj xhamie ka thënë se sakrifica është ajo që simbolizon festën e Kurban Bajramit.

“Për ta bërë një kurban një kafshë është e lehtë sot, por jo edhe mendimet tona negative si urrejtja e xhelozia. Pra, prej porosive që na u është mësuar është të bëhet kurban edhe egoizmi. Sot njeriu e sheh vetëm veten. Kjo ditë, Kurban Bajrami, na mëson që të mendojmë edhe për të tjerët. Sakrifica është ajo që e simbolizon këtë festë. Në këtë ditë kujtojmë edhe ata që u sakrifikuan për lirinë, mesazh të cilin duhet të përcjellim tek të rinjtë tanë”, është shprehur Avdiu.

Namazi i Kurban Bajramit është falur edhe në xhamitë tjera të qytetit të Podujevës./Llapi.info