Është bllokuar nga orët e para të mëngjesit rruga e xhamisë së qytetit të Podujevës, raporton Llapi.info.

Bllokimi i kësaj rruge është bërë pasi ka nisur sërish të bëhet ekspertiza e një vrasjeje që ka ndodhur në vitin 2016. Për këtë, gjatë ditë së sotme janë parë forca të shumta të Policisë së Kosovës në Podujevë, duke përfshirë edhe ata të njësisë speciale.

Sipas aktakuzës së ngritur me 5 prill 2017, vëllezërit Sedat dhe Fejard Llugaliu më 7 shkurt të vitit 2016, rreth orës 21:40, në rrugën e “Xhamisë” në Podujevë, pas marrëveshjes paraprake mes të pandehurve dhe personave NN, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku, nga hakmarrja për shkak të konflikteve të mëhershme të familjes Lugalliu dhe Bunjaku rreth biznesit, duke rrezikuar edhe Arafat Fetën, të pandehurit u kanë dal në pritë Fetës dhe Bunjakut.

Sipas aktakuzës, Esat Llugaliu, ka shtënë në drejtim të tyre me pistoletë dhe bashkë me të kanë shtënë edhe personat NN dhe të pandehurit Fejard dhe Sadat Llugaliu që kanë dal nga vetura e tyre, kurse personat NN kanë qene të fshehur në qoshe të një ndërtese.

Për të shpëtuar nga të shtënat me armë, aktakuza thotë se Feta ka dal nga vetura dhe ka ikur, kurse, tani i ndjeri Fahri Bunjaku është qëlluar me armë zjarri dhe në atë gjendje ka dal nga vetura, por pasi të shtënat nuk janë ndalur në vetëmbrojtje ka shtënë në drejtim të tyre dhe ka ikur drejtë shtëpisë së të dëmtuarit Halit Kika.

Për këto veprime Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë”./Llapi.info