Malcolm Simmons, ish-kryegjykatës i misionit evropian në Kosovë, EULEX, tha sot në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion se ky mision u ka dhënë dokumente prokurorëve serbë lidhur me rastet e krimeve të luftës.

Simmons tha para deputetëve se aty përfshiheshin edhe informata specifike edhe për dëshmitarët e atyre krimeve me prejardhje shqiptare.

“Në 2014 kam zbuluar shume dokumente të krimeve të luftës të cilat u janë dhënë prokurorëve serbë. Këto akuza për krime të supozuara të kryera nga persona të etnisë serbe gjatë luftës. Këto dokumente përfshinin informata për këta persona, por edhe të dhënat personale dhe detaje të dëshmitarëve me prejardhje shqiptare. Këto krime janë bërë në Kosovë kundrejt banorëve të Kosovës nga serbë, shumë prej të cilëve ishin edhe qytetarë të Kosovës”, tha Simmons.

Por këto deklarata të Simons i ka hedhur poshtë EULEX-i përmes një përgjigje dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”.

“Në lidhje me pretendimet se EULEX-i u dorëzoi shkresat e rasteve gjyqësore autoriteteve të Prokurorisë Serbe e përsërisim se EULEX-i kurrë nuk ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës tek autoritetet prokurorial serbe dhe as nuk u ka dhënë autoritet mbi rastet dhe lëndët investigive. Ne e sfidojmë Simmonsin të identifikojë ndonjë rast që ai pretendon se Misioni u dha autoriteteve serbe”, thotë EULEX për Reporteri.net.

Në fund të përgjigjes së gjatë EULEX thotë se gjithnjë i ka hetuar me prioritet akuzat për shkelje dhe në disa raste të limituara ka shqiptuar dënime për punonjësit e tij.