Ish-kryenegoaciatorja e Kosovës në dialog me Serbinë, Edita Tahiri, thotë se Qeveria “Kurti” përpos që është e papërvojë në dialog, më herët e ka kundërshtuar të njëjtin.

Në mesin e muajit qershor pritet që të rifilloj dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, proces ky i cili ka filluar tash e dhjetë vjet në Bruksel, ku kryenegociatore ka qenë Edita Tahiri.

Ky dialog do të rifilloj në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

E për rifillimin e këtij dialogu ka folur ish-kryenegociatorja Edita Tahiri.

Ajo tha se Qeveria “Kurti”, nuk ka përvojë në negociata dhe se për rifillimin e këtij dialogu duhet ta ketë një platformë të qartë, ku pjesë e bisedimeve duhet të jetë edhe opozita.

“Tani koha ka ardhur që të arrihet marrëveshja përfundimtare për njohjen reciproke. Për njohje reciproke për dy shtete mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria duhet të fokusohet në përgatitjen e platformës për bisedime, ta paraqes në Kuvend që të miratohet, të bashkëpunoj me opozitën të jetë mundësisht një delegacion ku përfshihet edhe Qeveria dhe opozita. Mendoj se Qeveria aktuale nuk ka shumë përvojë në negociata pasi që është hera e parë që janë në Qeveri, plus kanë qenë kundër këtij dialogu”, tha ajo për Front Online.

Platforma e Qeverisë për rifillimin e dialogut, sipas Tahirit, duhet t’i ketë në fokus tri çështjet kryesore, njohja reciproke, dëmshpërblimin e luftës, dhe bashkëpunimi mes dy shteteve në fushat ku kanë interes.

“Megjithatë këtu e tani është obligimi i tyre kushtetues dhe të përgatiten mirë që të dalin me argumente të qëndrueshme, njohja reciproke mes dy shteteve me kufijtë aktual është zgjedhje e vetme e cila kontribuon për paqen në rajon dhe Evropë, kjo pra duhet të jetë ajo që duhet ta kenë gati, gjithashtu platforma e Kosovës duhet ta mbaj çështjen e reparacioneve të luftës. Qeveria duhet të ofrojë argumente, po ashtu që nëse gjërat shkojnë mirë në këtë fazë përfundimtare të dialogut natyrisht që duhet të flitet për bashkëpunim mes dy shteteve në fushat ku kanë interes të përbashkët, pra këto janë tri shtyllat kryesore që dihet t’i ketë platforma”, deklaroi Tahiri.

Tahiri: Serbia e ka kusht marrëveshjen përfundimtare, i duhet për anëtarësim në BE

E pyetur se a pret që marrëveshja përfundimtare të arrihet brenda këtij viti, Tahiri tha se është e rëndësishme që një gjë e tillë të ndodh pasi që Ballkani ka mbetur në një situatë të paqartë.

Ajo tha se për arritjen e kësaj marrëveshje përveç Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë edhe angazhim të partneritetit euroatlantik.

“Ajo çka dua të them, brenda një viti prej tash duhet të përfundon dialogu, kjo është edhe porosi për BE-në, sidomos për SHBA-të , që të angazhohen dhe t’i gjejnë të gjitha mundësitë që ta përfundojnë brenda vitit sepse Ballkani ka mbetur në situatë të paqartë. E para BE-ja, nuk është e qartë në integrimin e 6 shteteve të Ballkanit përfshirë Kosovën, e dyta disa vende sidomos Serbia kanë hapur shteg për gjeopolitika ruse në Ballkan, ndërhyrjen e palëve si Kina, pra kjo është porosi për bllokun euroatlantik se Ballkani nuk duhet të bëhet një fushëbetejë e luftës gjeopolitike sepse Ballkani është përcaktuar për gjeopolitikë perëndimore euroatlantike, prandaj duhet të përshpejtohet integrimi në BE i 6 vendeve, por edhe në NATO përveç Serbisë që nuk ka shprehur dëshirë të jetë pjesë e NATOS”, tha ajo.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, është kusht që kjo e fundit të anëtarësohet në BE.

Tahiri, tha se këtë e kanë të qartë edhe diplomatë evropian.

“Sipas mendimi tim është me rëndësi që ky dialog të mos vazhdoj pafundësisht, sepse gati 10 vite është që po bisedohet në dialogun e Brukselit prej vitit 2011 dhe ka ardhur koha që të përmbyllet marrëveshja përfundimtare mes dy shteteve, çdo vonës në dialog shkon në favor të Serbisë, sepse Serbia po e shfrytëzon dialogun sa për sy e faqe ndërkohë që dëshiron të bëjë progres drejt integrimeve evropiane. Deklaratat e fundit që i patë, diplomatët evropian të dialogut e kanë të qartë se rruga e Serbisë për BE kalon përmes dialogut me Kosovën pra është një kusht i rëndësishëm, nuk ka pranim të Serbisë në be pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovë pra është kusht kyç për paqe dhe stabilitet në rajon”, tha tutje Tahiri.

“Nuk e pranova ftesën e Kurtit si eksperte në dialog me Serbinë”

Kryeministri Kurti, para rifillimit të dialogut ka krijuar një grup të ekspertëve të cilët do t’i ndihmojnë në procesin e dialogut.

Ftesë për t’iu bashkangjitur këtij grupi ka pasur edhe ish-kryenegociatorja Edita Tahiri, të cilën ftesë nuk e ka pranuar.

“Po kam pasur ftesë, por unë nga profili nuk jam eksperte, unë jam politikane, kam qenë negociatore e paqes në Rambuje, kryenegociatore në Bruksel pra në cilësinë e ekspertes nuk kam pranuar të marrë pjesë në këtë proces”, tha ajo.

Ish-kryenegociatorja Tahiri: Me “non paper” po tentohet të krijohet mjegull

Para rifillimit të dialogut, në opinion ka filluar publikimi i disa “non-paperve” të cilët kanë përmbajtje të ndryshme sa i përket procesit të dialogut dhe arritjes së një marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë, Tahiri ka thënë se “non paper” janë një përpjeke për të krijuar mjegull për dialogun e Brukselit, në mënyrë që t’iu krijohet presion palëve të përfshira në këtë proces dhe Bashkimit Evropian.

“Në fakt deri tash i kemi parë tre “non paper” , e para ka qenë për ndryshimet e gjithë kufijve në Ballkan dhe e dyta ka qenë për dialogun Kosovë-Serbi dhe kjo e treta sillet ndërmjet këtyre dyjave pra më shumë për dialogun, por besoj që e ka alternativë ndryshimin e kufijve në Ballkan edhe ka edhe shkrime të tilla. E para këto “non paper” janë përpjekje për të krijuar mjegull mbi dialogun e Brukselit , dialogun Kosovë- Serbi në mënyrë që t’u krijojnë presione palëve, por edhe t’i krijojnë vet presione Bashkimit Evropian. Unë mendoj që këto duhet të lexohen, por orientimi ynë është që dialogu të dalë me sukses me njohje reciproke”, tha ajo.

Nëpërmjet “non paper” po paralajmërohet luftë gjeopolitike

Tahiri e ka edhe një frikë tjetër. Thotë se përmes këtyre “non –paper” po ipet edhe një mesazh se në rast se nuk ka marrëveshje, Ballkani mund të bëhet betejë gjeopolitike në mes të Amerikës, Evropës dhe në anën tjetër Rusisë dhe Kinës.

“Këto non-paper po japin mesazhin në qoftë se nuk ka integrime të shpejta evropiane për 6 vendet e Ballkanit atëherë Ballkani mund të rrëshqas në tema të kufijve si dhe të bëhet një fushëbetejë gjeopolitike midis perëndimit pra Amerikës dhe Evropës në një anë dhe Rusisë dhe Kinës anën tjetër”, tha Tahiri.

Edita Tahiri: Qeveria ta bëj Asociacionin pa kompetenca ekzekutive

Kusht i Serbisë për rifillimin e dialogut ka qenë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo e nënshkruar në vitin 2013-të dhe e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015-të.

Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri tha se marrëveshja e Brukselit për Asociacionin duhet të zbatohet pasi që nuk lejon kompetenca ekzekutive.

“Edhe marrëveshja e Brukselit për Asociacionin, edhe vendimi i Gjykatës pra bashkë janë baza për zbatimin e marrëveshjes sepse marrëveshja për Asociacionin nuk lejon kompetenca ekzekutive, pra marrëveshja e Brukselit nëse do të lejonte tendenca të tilla atëherë Gjykata Kushtetuese do ta anulonte marrëveshjen, siç e dini Gjykata Kushtetuese nuk ka anuluar marrëveshjet sepse është në pajtim me Kushtetutën”, tha tutje ajo.

Tahiri tha se Qeveria e Kosovës duhet ta mbrojë Asociacionin i cili nuk ka kompetenca ekzekutive.

“Ajo që ka propozuar vendimi i Gjykatës është që në periudhën kur bëhet statusi duhet të merren parasysh rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, pra të dyja edhe marrëveshja e Brukselit edhe vendimi i Gjykatës e përbëjnë bazën për zbatim, është me rendësi edhe një herë po e theksoi nuk ka kompetenca ekzekutive për Asociacionin dhe nuk duhet të ketë në qofte se eventualisht provon Serbia tani në këtë fazë të dialogut, Qeveria e Kosovës duhet të mbroj një Asociacion pa kompetenca ekzekutive sipas ligjit të Kosovës dhe Kushtetutës”, tha Tahiri.

Tahiri: Korrigjimi i kufijve u mbyll në 2019-ten, është derdhur gjak për kufijtë

Sipas EditaTahirit, tema e korrigjimit të kufijve nuk do të kthehet në tryezën e bisedimeve.
Ajo tha se kjo temë ka përfunduar në vitin 2019, falë angazhimit të Gjermanisë.

“Tema e korrigjimet apo ndryshimit të kufijve ka përfunduar dhe kjo ka përfunduar falë angazhimit të vendosur të Gjermanisë në maj të vitit 2019 dhe kjo temë nuk kthehet se e gjithë Kosova ja ka dhënë përgjigjen jo kësaj teme, dhe prapë çdo përpjekje që të preken kufijtë e Kosovës do ta marrin një përgjigje të vendosur të popullit të Kosovës sepse është derdhur gjak për kufijtë e Kosovës”, tha ajo.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës: Franca dhe Holanda po e pengojnë liberalizimin e vizave

Ish-kryenegociatroja Tahiri tha se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk lidhet me dialog, por me pengesën që Franca dhe Holanda po i’a bëjnë këtij procesi.

“E para liberalizimi i vizave nuk lidhet me dialogun sepse po shoh që ka në opinion paqartësi , liberalizimi i vizave lidhet me kriteret e sundimit të ligjit dhe kriteret tjera që janë teknike e që lidhen me proceset e lëvizjes së lirë tani si Franca dhe Holanda nuk e mbështesin ende këto janë dy shtete qe po e pengojnë.

Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të flas me këto dy shtete dhe të kuptoj ku janë pengesat”, tha Tahiri.

Ajo tha se Qeveria duhet që të flas me këto dy shtetet për ta parë se cilat janë vërejtjet e tyre për këtë proces.

“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për të hequr apo për të marrë liberalizimin e vizave , kjo është çështje e Qeverisë është e gjithë resorëve përfshirë Ministrinë e Jashtme që të flitet direkt me Francën dhe Holandën për të parë se çfarë janë vërejtjet e tyre”, tha tutje ajo.