21 persona të dyshuar janë arrestuar gjatë ditës së sotme nga Policia e Kosovës lidhje me korrupsion në rastin “Subvencionet 2021”, raporton Llapi.info.

Aksione për kapjen e të dyshuarve ka nisur në orët e hershme të mëngjesit, derisa 14 nga 21 të arrestuarit janë zyrtarë Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë dhe të tjerët zyrtarë të Komunave të Kosovës. Aksioni është zhvilluar edhe në Podujevë.

Në një konferencë për medie, prokurori i këtij rasti, Rafet Halimi ka deklaruar se dëmi të cilin dyshohet se këta zyrtarë e kanë shkaktuar është mbi 1 milion euro.

“Në vazhdën e operacionit Prokuroria që në orët e hershme të mëngjesit kemi marrë një operacion të gjerë në Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjilan dhe Istog ku janë arrestuar 21 të pandehur për dhënie e marrje ryshfeti, keqpërdorim të detyrës zyrtare. 14 prej tyre janë zyrtarë në kudër të Ministrisë dhe disa zyrtar nga Komunat e Kosovës. Shumica prej tyre janë drejtorë. Prokurori ka prova të mjaftueshme se të pandehurit kanë kryer veprat penale dhe ndaj tyre brenda 24 orëve do të paraqitet kërkesa për paraburgim”, është shprehur ai.

Në lidhje me këtë aferë, muaj më parë u arrestuan 11 persona dhe u sekuestruan para të gatshme në vlerë mbi 600 mijë euro./Llapi.info