Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas deklaratave të zëvendëskryeministrit në detyrë, Haki Abazi, i cili ka thënë se Hoti gjatë punës së tij nuk ka dhënë asnjë kontribut dhe se ai është mbështetës i presidentit Hashim Thaçi.

Në reagimin e bërë, Hoti ka thënë se Abazi po flet të pavërteta, transmeton Telegrafi.

“Z. Abazi po nxjerr vrerë ndaj meje. Po thotë të pavërteta me vetëdije të plotë, që as zogjtë e malit nuk i hanë. Unë nuk i kam faj që nuk zgjati qeverisja jonë e përbashkët dhe ai këtë e di. Fajet i ka shefi i tij, por edhe ai vetë. Ndoshta tash i kanë dhënë detyrë të më shajë mua e LDK-në, siç e ka pasur detyrë më herët të shante Vetëvendosjen e PDK-në”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Më tej ai ka pohuar se me këdo që ka punuar është munduar ta ruaj respektin, por që sipas tij, Abazi po nuk po i lë hapësirë.

“Sa i lumtur jam që nuk e kemi pranuar në LDK më 2018, kur më vinte në zyre e kërkonte të futej në strukturat tona. Intuita ime atëherë më thoshte se ky nuk është njeri i keq, por se nuk frymon LDK dhe si qasje dhe diskurs politik.
Këtë të fundit e kam besuar edhe atëherë, e shumë më tepër sot. Ndërkaq, për të parën tash e mora vesh se paskam qenë tepër gabim, se ky qenka edhe i lig. Është mirë ta pyes babën e vetë dhe të turpërohet pak që pa asnjë të drejtë e pa asnjë fakt po e shanë një mik të mirë të babës së vet”, ka shkruar Hoti.