Janë bërë gati dy vjet prej kur askush nuk di asgjë për fatin e Mirjeta Zeka-Shabanit, nga Mitrovica, e martuar në Vushtrri. Vëllai i saj, i cili është i bindur se Mirjeta u vra nga bashkëshorti, thotë se nuk është bërë sa duhet për zbardhjen e rastit të saj, ndërkaq nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë thonë se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar dhe se janë përfshirë edhe autoritetet gjermane, pasi atje jeton bashkëshorti i Mirjetës, N.Sh., i cili po hetohet si i dyshuar, shkruan Gazeta Express

Më 30 mars të vitit 2019, ishte takimi i fundit i Mirjetës me vëllain e saj, Rexhepin. Të nesërmen ajo dhe bashkëshorti i saj do të niseshin për Gjermani, ku edhe do ta fillonte punën më 1 prill.

Atë ditë, Rexhepi thotë se Mirjeta ia kishte përmendur bashkëshortes së tij se raportin me burrin nuk i kishte të mira.

“Me 30 mars kemi qenë ne në shtëpi të saj, motra më herët nuk na ka treguar për zullumin që e ka pasur prej tij. Është frikësu, ku me e ditë qysh e ka kërcënuar. Atë ditë ndoshta iu ka bërë tepër dhe i ka treguar gruas time prej fillimi çka ka hjek prej tij. Gruaja nuk më ka tregua mua, por e ka dhënë deklaratën në polici, është frikësuar me m’tregu mua, por në polici ka dhënë deklaratë dhe ata e dinë. Për dhunë fizike e psikike e të gjitha”, ka thënë për Express Rexhep Zeka, vëllai i Mirjetës.

Ai deklaron se N.Sh., bashkëshorti i Mirjetës, mbante çdo herë një armë në brez.

Madje thotë se kishte parë disa herë shenja në fytyrën e së motrës, por ajo i kishte thënë se është rrëzuar.

“E kemi marrë vesh vonë, e pyetsha motrën cka po bëhet, për me e ndalë shkurt e shqip, më thojke vëllai im mos më nguc. Sa here kemi shku, ai revolen e ka pasur në brez dhe ka ndejt në oborr qaty. Motra më ka thënë çdo herë vëllai jem mos më nguc. Një herë ia pashë syrin e mavit, më tha jam vra në kuzhinë, një herë tjetër fytyrën mavi, më tha jam rrëzu shkallëve”, ka deklaruar ai.

Familja Zeka kishte menduar se Mirjeta ka shkuar në Gjermani, por pas më shumë se dy muajsh, i kishte telefonuar bashkëshorti i saj dhe iu kishte treguar se ajo është zhdukur.

E nga ajo kohë, kërkimet për Mirjetën nuk kanë rreshtur, por edhe pas gjithë kësaj kohe, Rexhepi thotë se nuk ka asnjë informatë për motrën e tij, të cilën vazhdon të besojë se e ka vrarë bashkëshorti.

“Po shkojmë në prokurori, sepse policia nuk ka asgjë në dorë. Prokurori nuk e di cka është puna e tij, nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Pos kur e ka marrë rastin, ia ka kthy dokumentet direkt atij dhe e ka lënë të lirë. Nuk kanë vazhdu hetimet në vendet tjera, nuk e di arsyen. Të njëjtin muhabet çdo herë, po punojmë na thonë, por rezultat nuk ka”, ka deklaruar ai.

Rexhepi thotë se para tri javësh ka biseduar me kryeprokurorin e Mitrovicës, por deri më tani nuk ka asnjë rezultat në gjetjen e motrës së tij.

“S’e di a i ka tri javë prej kur kam folë me kryeprokurorin. Me prokurorin e rastit s’po kemi më as cka me folë. Nuk kemi lënë vend pa e lypë. Kemi shku në Ministrinë e Drejtësisë, edhe te Aleksandër Lumezi, e te krejtë, por të gjithë përgjigjen e njëjtë: do të shohim, po punojmë për rastin, por asnjë rezultat”, thotë ai.

“Të njëjtat dyshime i kemi, ajo është qind për qind e vrarë”, deklaron Rexhep Zeka.

Zeka tha se një ekip i hetuesve nga Gjermania ka qenë në Kosovë, por sipas tij, prokurori i rastit nuk i ka lënë të kryejnë hetime në shtëpinë e të dyshuarit.

“Vëllai ka shkuar në Gjermani dhe e ka lajmëruar rastin, kanë qenë katër gjermanë prej hetuesisë, kanë qëndru tri ditë, kanë kërkuar t’i bëjnë ekspertizat në shtëpinë e tij, sepse ai pasi e ka bërë veprën e ka rinovuar shtëpinë, me parket e me mobile e me krejtë. Ata kanë thënë i kemi mjetet më të mira, edhe nëse e ka rinovu shtëpinë mund të gjejmë diçka, por prokurori në Kosovë nuk i ka lejuar. Kur e ka pyetur vëllai për çfarë arsyeje, ka thënë nuk e nënçmoj shtetim tim, me thënë ka lypë Kosova ndihmë prej Gjermanisë se s’po mundet me e zbardhë një rast”, ka deklaruar ai.

E kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani, ka deklaruar për Express se hetimet për zhdukjen e Mirjetës po zhvillohen, ndërkaq po hetohet bashkëshorti i saj.

Ai deklaroi se autoritetet kosovare po bashkëpunojnë me ato gjermane për zbardhjen e këtij rasti.

“Hetimet janë duke u zhvilluar. Ndaj tij [bashkëshortit] janë duke u zhvilluar hetimet, në bashkërendim me autoritetet e Gjermanisë, sepse ai ka nënshtetësi gjermane. Po zhvillohen hetime të dyanshme, nuk kanë përfunduar ende”, ka deklaruar Ujkani.

Kryeprokurori ka deklaruar se N.Sh. një kohë ka qëndruar në paraburgim, por është liruar.

Ndërkaq për pretendimet e familjes se hetuesit gjermanë kanë qenë në Kosovë, por nuk janë lejuar nga prokurori i rastit të kryejnë hetimet në shtëpinë e të dyshuarit, Ujkani thotë se mbeten vetëm pretendime.

“Nuk i ka pengu asgjë hiç. Nuk e di ku kanë krye hetime sepse prokurori po merret me rastin, por gjithçka ka qenë transparente edhe me organet gjermane. Pretendimet e tyre janë pretendime, sepse ata nuk mund të pajtohen deri në gjetjen e trupit, por kërkohen prova në procedurë”, ka deklaruar Ujkani.

Ndryshe, në tetor të vitit të kaluar, vëllezërit e Mirjetës kishin marrë informata se trupi i pajetë i saj mund të jetë fshehur në afërsi të lumit “Ibër” në Mitrovicë.

Nën këto dyshime, kishin filluar gjurmimet për gjetjen e trupit të saj, ku kishin asistuar edhe ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por nuk ishte gjetur asgjë.