Dy vetëvrasje janë regjistruar brenda nëntë ditësh në qytetin e Podujevës, raporton Llapi.info

E.T nga fshati Bajqinë i Podujevës i ka dhënë fund jetës së tij të mërkurën e javës së kaluar.

Rastin si vdekje të dyshimtë e ka konfirmuar për Llapi.info edhe zyrtarja për informim në Stacionin Policor të Podujevës, Antigona Çitaku. Ndërsa siç mëson Llapi.info, i moshuari me inicialet E.T është vetëvrarë.

Arsyet e shtyrjes drejt vetëvrasjes nuk janë bërë të ditura për të moshuarin.

Rasti i dytë ka ndodhur në fshatin Llaushë të Podujevës. A. Dudi 27 vjeçar ka vrarë vetën mbrëmjen e së martës i cili u kthye për pushime në vendlindje nga Austria.

Rastin për vdekje të dyshimtë për Llapi.info e ka konfirmuar Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Bislimi.

Kurse babai i tashmë të ndjerit ka thënë për medie se 27 vjeçari ka mbytur vetën derisa ka qenë në depresion.

“Djali ka qenë pak depresiv. Qe 5-6 muaj ka qenë duke përdorë terapi kundër depresionit. Ka qëndru në spital atje dy herë ka tri javë. Vetëm dy minuta mu largua nga sytë djali dhe ndodhi kjo”, ka thënë Agim Dudi.

Në lidhje me këtë rast Policia në Podujevë po e cilëson si vdekje të dyshimtë, duke thënë se hetimet po vazhdojnë./Llapi.info