Përveç Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, pretendimet e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiut, rreth skadimit të afatit të vaksinave të ardhura nga Norvegjia, i ka demantuar edhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kujdesit të Norvegjisë, Saliba Andreas Korkunc.

Korkunc nga Ministria e Shëndetësisë së Norvegjisë ka dhënë detaje rreth donacionit norvegjez të vaksinave, duke treguar se 12 mijë e 500 dozave iu skadon afati më 31 korrik 2021 dhe 170 mijë e 400 të tjerave më 31 gusht 2021.

“Dozat e vaksinave të dërguara nga Norvegjia për në Kosovë kanë këta numra në paketim dhe këto data të skadimit.

ABW1277 31.07.2021 Vaxzevria 10×10 ml vial: 5

ABX2057 31.08.2021 Vaxzevria 10×10 ml vial: 1440

ABX2057 31.08.2021 Vaxzevria 10×10 ml vial: 264

ABW2953 31.07.2021 Vaxzevria 10×10 ml vial: 120”, ka thënë ai në një përgjigje përmes e-mailit për Gazetën Express.

“Në total 12 mijë e 500 doza skadojnë më 31 korrik, pjesa tjetër prej 170 mijë e 400 skadojnë më 31 gusht”, ka përfunduar Korkunc.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, dje pretendonte se një numri të vaksinave të ardhura donacion nga Norvegjia u kishte skaduar afati më 30 qershor.

Haxhiu thotë se këto vaksina janë pa afat dhe se shteti i Norvegjisë i ka larguar nga përdorimi muaj më parë.

Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës sot i ka quajtur si dezinformata pretendimet e deputetit Haxhiu, të cilat sipas tyre, tregojnë edhe mungesë respekti ndaj Norvegjisë si donator.

“Dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e marra nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individ të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër COVID-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesë të respektit ndaj donatorit-shtetit të Norvegjisë”, thuhej në reagimin e MSh-së