Kryendeshja e javës së 28-të në Ipko Superligën e Kosovës zhvillohet sot në Podujevë, ku Llapi pret Dritën, njofton Llapi.info.
Dueli i kësaj jave ndërmjet ekipit nga Podujeva dhe atij nga Gjilani pritet të nisë me fillim nga ora 17:00 në stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti”.
Pas 27 xhirove, Llapi renditet në vendin e gjashtë me 39 pikë, ndërsa Drita i prinë tabelës me 58 sosh.
Gjatë këtij edicioni, Llapi dhe Drita janë ballafaquar dy herë, ndërkohë që gjilanasit kanë shënuar rezultat më pozitiv. Fillimisht ndeshja e parë në “Zahir Pajaziti” pati përfunduar 2-2, kurse Drita shënoi fitore në shtëpi me rezultat 2-0.
Ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina ka për synim që ta ndalë edhe Dritën, pasi në javët e kaluara ua prishi matematikat pretedentëve tjerë për titull. Në anën tjetër, mysafirët do të kërkojë me ngulm maksimumin e pikëve në këtë duel, në mënyrë që të marshojnë drejt titullit të madh.
Bardh e kaltrit nga Podujeva në këtë ndeshje hyjnë pas barazimit me Gjilanin, e në anën tjetër Drita mposhti Dukagjinin.
Ky derbi do të gjykohet nga gjyqtari Selim Isufi me ndihmësit Granit Hyseni dhe Elvis Bicaj.
Për shkak të masave parandaluese të pandemisë COVID-19, edhe kjo ndeshje do të luhet pa praninë e tifozëve në tribuna./Llapi.info